TIRANE – Fëmijët e moshës 7 vjeç e sipër do të paguajnë biletë autobusi sa një i rritur. Ndonëse në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dha zgjidhje situatës për pagesat e fëmijëve të moshës 0-6 vjeç, administratori i një prej kompanive të transportit urban shprehet se nuk do ketë tolerancë për grupmoshën mbi 7 vjeç. Sipas tij qeveria duhet t’i rimbursojë kompanitë në mënyrë që transporti për fëmijët të ofrohet falas ose me një pagesë më të ulët.

“Ngritën një hata të tërë që s’ka kaluar asnjë vendim për këtë të fëmijëve përkundrazi në kundërshti me ligjin e Lulit ne e kemi kërkuar që fëmijët të udhëtojnë falas dhe partia e tij më këtë ligj e ka pasur ministrinë vetë dhe hoqi fëmijët nga 0-6 vjeç që në fakt ka qenë në kohën e Adil Çarçanit” – thënë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak.

Nga një vëzhgim që News24 bëri në disa autobusë të linjave të ndryshme në Tiranë, rezultoi se në fakt deri në 6 vjeç fëmijët nuk paguajnë biletë. Problem mbetet pagesa për fëmijët mbi 7 vjeç. Shumë prindër me fëmijët e tyre për dore zbresin nga autobusët me bileta ose me abone edhe për të miturit. Prindërit tregojnë se janë të detyruar të presin biletë për fëmijët mbi 7 vjeç, me të njëjtin çmim që paguan një i rritur.

Administratori i një prej kompanive të transportit urban, Fatos Vrapi thotë se deri më tani ka qenë një tolerancë e bërë prej shoqërive të transportit që grupmosha mbi 7 vjeç mos të paguajë biletë për autobusin. Por ai kërkon që qeveria t’i rimbursojë në mënyrë që transporti për fëmijët të ofrohet falas ose me një pagesë më të ulët.

“Nxënësit e shkollës pas moshën 7 vjece në qoftë se do të përdorin transportin publik janë të detyruar të paguajnë biletë. Nuk ka ligj që thotë që fëmijët 7-18 vjeç duhet të paguajnë gjysmë bilete ose të mos paguajnë fare. Në qoftë se Bashkia merr përsipër subvencionimin e këtyre njerëzve ne nuk ka kushton asgjë” – ka thënë Vrapi.

Shoqata e transportit urban qytetas tregon se në kontratën e bërë ndërmjet kompanive të transportit urban qytetas dhe Bashkisë nuk përcaktohet në asnjë pikë që fëmijët e moshës 7 vjeç e sipër të udhëtojnë me çmim të ulët ose falas.
Nga ana tjetër nuk ka asnjë ligj që të përcaktojë çmimin e biletave për këtë grupmoshë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb