KORÇË

Dy të rinj janë arrestuar në Korçë pasi u kapën duke transportuar dy emigrantë të paligjshëm. Atyre iu bë me shenjë të ndalonin në fshatin Zvezdë, por ata nuk iu bindën urdhërit të Policisë.

Po ashtu atyre në mjet iu gjet armë e ftohtë dorezë metalike, kurse njërit prej tyre edhe pajisjesh municionesh pa leje në banesë.

Emigrantëve iu është premtuar kalimi në vendet e BE, kundrejt parave.

NJOFTIMI NGA POLICIA
Qarku Korçë

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”.

U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihen në pranga 2 shtetas.

Njëri prej tyre mbante armë të ftohtë në mjet, ndërsa tjetrit iu gjet në banesë pajisje municionesh pa leje.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. Z., 20 vjeç dhe R. Z., 23 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se dy shtetas po transportonin me një mjet tip “Benz”, emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kanë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjetit në afërsi të fshatit Zvezdë, Maliq. Drejtuesit të mjetit, shtetasit G. Z. i është bërë me shenjë të ndalonte, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar. Gjatë ndjekjes ai është kapur dhe neutralizuar së bashku me shtetasin R. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu ishte premtuar kalimi për në vendet e BE-së, si dhe një dorezë metalike pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga këqyrja e telefonit celular të shtetasit G. Z., u gjetën disa pamje filmike ku ky shtetas, së bashku me R. Z., shfaqeshin duke qëlluar në ajër, me armë zjarri tip automatik.

Nga kryerja e kontrolleve të mëtejshme, në banesën e shtetasit R. Z. u gjet një krehër automatiku pa fishekë, ndërsa në vendin ku këta shtetas kishin qëlluar në ajër me armë zjarri, u gjetën gëzhoja, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb