Tre persona kanë rënë në pranga, pasi u kapën duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, ndërsa njëri prej tyre drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe me kontratë qiraje të tij të dyshuar si të falsifikuar.
Në vijim të operacionit policor “Perimetri”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: K. N., 27 vjeç, banues në Gjadër, Lezhë, (i dënuar më parë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”); G. Gj., 27 vjeç, banues në Rilë, Lezhë si dhe R. M., 30 vjeç, banues në Lezhë (i dënuar më parë për “Vjedhja”).

Shtetasit e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Hudënisht, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në drejtim të Tiranës, me tre automjete, gjashtë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 900 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb