KURBIN

Policia e Kurbinit ka arrestuar një 35-vjeçar pasi është kapur duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin dhe strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në automjetin tip “Benz” po transportoheshin emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K.S., 35 vjeç, banues në Kamëz.

Ky shtetas, është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, në Skuraj, Kurbin duke transportuar me automjetin e tij “Benz”, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: