Në kuadër të masave për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, Policia Kufitare e Sarandës ka arrestuar në flagrancë një 24-vjeçar, banues në Shkodër, i cili po transportonte emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës në aksin rrugor “Sarandë-Lukovë”.

Automjeti me të cilin po kryhej transporti u sekuestrua, ndërsa hetimet përfshijnë edhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Lukovë, Sarandë

Goditet nga Policia Kufitare, një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Vihet në pranga një 24-vjeçar që transportonte emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës.

Në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, gjatë kontrolleve në aksin rrugor “Sarandë-Lukovë”, konstatuan në vendin e quajtur “Lemi i Sofisë”,  një automjet tip “Volksvagen”, me të cilin po transportoheshin disa shtetas të huaj.

Shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin M. O., 24 vjeç, banues në Shkodër. Nga hetimet dyshohet se shtetasi M. O. po i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me automjetin që e kishte marrë me qira,  me qëllim që ata të kalonin në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian.

Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: