Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi transportonte 16 emigrantë të paligjshëm dhe drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt. Po ashtu nga policia është ndaluar dhe një shtetas tjetër, si bashkëpunëtor i dyshuar i tij. Në vijim të operacionit policor “Perimetri”, u arrestua shtetasi me inicialet E. Sh., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, duke transportuar me mjetin furgon tip “Citroen” që e drejtonte pa leje drejtimi 16 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, bënë ndalimin edhe të shtetasit E. L., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: