VLORË

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 56-vjeçar për ndotje mjedisi, teksa është sekuestruar një kamionçinë që transportonte pjesë automjetesh.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në kuadër të planit për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të territorit, arrestuan në flagrancë shtetasin D. M., 56 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shtetasi D. M. transportonte me një mjet kamion, mbetje makinash, të cilat i hidhte në vendin e quajtur “Tregu i fruta-perimeve” në Nartë, duke krijuar grumbuj mbetjesh, ndotje të rëndë të ajrit dhe prishje të strukturës së tokës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria e Policisë apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

DVP Vlorë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: