TIRANE- 80 mjeshtra dhe ndihmësmjeshtra në punimet e gurit, drurit, metalit dhe suvasë në ndërtesa historike, pjesë e projektit “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”, u certifikuan sot në ambientet e Akademisë së Arteve në kryeqytet.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtorja ekzekutive e CHwB Albania, Lejla Hadzic, përfaqësues të drejtorive rajonale kombëtare, etj.

Gjirokastra, Berati dhe Korça kanë tashmë 80 mjeshtra dhe ndihmësmjeshtra të certifikuar, për punimet e gurit, drurit, metalit dhe suvasë në ndërtesa historike, falë projektit “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”, nga Chwb Albania.

Për herë të parë në 3 dekada, specialistët e vjetër të restaurimeve patën mundësinë të trajnojnë në teori dhe praktikë gjeneratën e re të mjeshtrave.

Projekti “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” ka për qëllim ruajtjen e teknikave tradicionale, kualifikimin e personave që operojnë në këtë fushë, rritjen e cilësisë së punimeve (sipas standardeve të restaurimit dhe konservimit) si dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe emigrantët që vendosin të kthehen për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb