Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro deklaroi të hënën gjatë prezantimit të projektit “Krijimi i Qendrave të Informimit Publik për Regjistrimin On-Line të Pasurive Kulturore Kombëtare”, se tashmë është kaluar nga faza e emergjencës në atë të rijetëzimit të monumenteve të kulturës.

Projekti, i cili ka mbyllur fazën e parë, është një investim i qeverisë shqiptare i aplikuar dhe i fituar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore.

Pasi bëri një prezantim të punës së realizuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore në katër vite, Kumbaro theksoi se “ndryshimi më i madh në trashëgiminë kulturore mbetet kalimi nga faza e emergjencës, (ku për dy vite rresht ndërhymë në objektet dhe monumentet me rrezikshmëri të lartë) në fazën e rijetëzimit të monumenteve duke e parë trashëgiminë si motor zhvillimi”. “Ka qenë një nga arritjet, ku për të shkuar në këtë fazë kemi sensibilizuar jo vetëm opinionin publik, por kemi rivendosur bashkëpunimin me pushtetin lokal, shoqatat, biznesin”, tha ajo.

Përmirësimi i menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe përfshirja e saj në proceset e planifikimit dhe e zhvillimit të qëndrueshëm kërkon një dokumentim dhe regjistrim të saktë. Në të gjitha konventat ndërkombëtare, ku Shqipëria është anëtare, inventarizimi dhe dokumentimi luajnë një rol strategjik si domosdoshmëri për mbrojtjen e pasurive kulturore, artistike dhe historike të trashëguara nga e kaluara. Anëtarësimi dhe ratifikimi nga shteti shqiptar i shumë konventave ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, përshtatja e legjislacionit në këtë fushë si dhe përfaqësimi i institucioneve krah organizmave ndërkombëtarë ka bërë prezantimin denjësor të kësaj trashëgimie në arenën ndërkombëtare si dhe të drejtat mbi këtë trashëgimi.

Drejtoresha e QKIPK-së, Silva Breshani prezantoi projektin , i cili bën të mundur krijimin e Sistemit Informatik Kombëtar të Administrimit të Pasurive Kulturore dhe Bazës së të dhënave shtetërore për regjistrimin e Pasurive Kulturore materiale dhe jomateriale për të gjitha kategoritë e zotëruesve.

U prezantuan edhe dy projektet CEBE/ USAID dhe CBS Creative Bussines Solutions, qe synojnë promovimin e pikave turistike kulturore me një model të ri që ndërthur sipërmarrjen sociale me ruajtjen e monumentit.

Në konferencë merrnin pjesë edhe Denis Wesne, përfaqësues i USAID Albania, Drejtori Ekzekutiv i CBS, Enio Jaço, Jonel Kristo, përfaqësues i projektit CEBE Albania, etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: