Të vjedhura në Apoloni nuk dihet në ç’kohë, një javë më parë, Policia e Shtetit lajmëroi për sekuestrimin e 264 objekteve me vlerë për trashëgiminë kulturore. Nuk ka një listë të objekteve të sekuestruara, por sipas fotove të sjella nga Ministria e Kulturës, bëhet fjalë për objekte qeramike, datimi i të cilave nuk jepet. Duke falënderuar punën e bërë nga Ministria e Brendshme dhe gjithë strukturat e Policisë së Shtetit për sekuestrimin e objekteve të vjedhura në gërmimet e bëra në Apoloni dhe kapjen e autorëve, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se ruajtja e pasurive kulturore të vendit tashmë është një strategji kombëtare, por ruajtja e tyre është detyrë e të gjithëve.

“Është e pamundur që çdo gur të mbrohet me një roje apo me një polic, nëse ne të gjithë nuk i mbrojmë. Është pikërisht ky sensibilizim i të gjithë faktorëve, që nga komuniteti, shkolla, pushteti lokal, padyshim qeveria, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë treguar sesi kur jemi bashkë mund t’i mbrojmë vlerat tona”, tha dje ministrja e Kulturës, sipas materialit të nisur nga zyra e shtypit.

Ajo ka vënë në dukje se ka “tre vjet që punojmë me strukturat e policisë për të pasur një strategji kombëtare. Në fakt është një strategji kombëtare e aprovuar vitin e kaluar nga qeveria shqiptare, për luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore, të cilat në 25 vitet e fundit, fatkeqësisht kanë humbur”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e quajti fitore të jashtëzakonshme, faktin që 264 objekte të periudhave të ndryshme dhe me vlera specifike janë sot të sekuestruara nga Policia e Shtetit dhe të sigurta. Në fjalën e saj ministrja e Kulturës theksoi edhe faktin se me investimin që po kryhet aktualisht në Apoloni, ky park do të kthehet një ndër më të rëndësishmit në vend.

“Është duke u mbyllur një kantier i madh restaurimi në Parkun e Apolonisë, ku në një bashkëpunim me delegacionin europian po investojmë mbi 700 mijë euro për ta bërë këtë park, pse jo ndër më të rëndësishmin në Shqipëri”, tha ajo.

Ky projekt është pjesë e listës së projekteve të kombinuara që vijojnë Procesin e Lubjanës – Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore, iniciativë e përbashkët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Evropian dhe për të mbështetur restaurimin e trashëgimisë historike, si një gjenerator i kapitalit social dhe ekonomik, i cili sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale, duke inkurajuar turizmin kulturor.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb