Partizani udhëheq me meritë kampionatin, është skuadra që ka bindur më shumë në këtë fazë të parë të superligës, por humori në shtëpinë e kuqe nuk është ai i duhuri, kjo sepse te kryeqytetasit ka një çështje të nxehtë, ajo që i takon Lorenc Trashit, mesfushorit që në ndeshjen ndaj Luftëtarit u largua nga stadiumi “Selman Stërmasi” i nxirë në fytyrë dhe nuk bëri pas pavarësisht thirrjeve të drejtorit Olsi Rama. Kjo ka turbulluar ujërat te Partizani, që në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj Skënderbeut, duhet të menaxhojë një situatë apak komode.

Ajo që ka habitur pa masë drejtuesit kryeqytetas ka qenë reagimi anormal i gramshakut, i cili në ndeshjen ku të kuqtë triumfuan 2-1 ndaj Luftëtarit, ishte edhe kapiten i skuadrës në vend të dëmtuarit Alban Hoxha. Madje pak përpara atij takimi, Partizani zyrtarizoi edhe kontratën e re me Trashin, që ka pranuar të zgjasë kontratën deri në vitin 2020 me një rritje të ndjeshme të pagës. Gjithashtu në këtë sezon të kuqtë po bëjnë lobing të fortë për mesfushorin e tyre, të cilit po i mbyllet dera në vazhdimësi nga Kristian Panuçi, ndërsa ‘BalkanWeb’ mëson ekskluzivisht se po bisedohet me disa klube të huaja, për t’i mundësuar Trashit një aventurë jashtë vendit, një ëndërr e vjetër e lojtarit.

Parë këtë situatë, është vërtet e pakuptimtë ajo sjellje, ndërsa e vetmja pistë mbetet ajo e ndryshimit të pozicionit nga mesfushor në mbrojtës të majtë, por ka qenë vetë Trashi që pak kohë më parë e ka bekuar këtë lëvizje, duke i dhënë të drejtë trajnerit Gega. Gjithsesi duket e zorshme që në këtë situatë lojtari të shpëtojë pa ndëshkuar, ndërsa veç gjobës së majme pritet edhe degdisja e lojtarit te Partizani B, vendim ky pa një afat të caktuar, që mund ta lërë mesfushorin jashtë ekipit të parë për një kohë të gjatë. Sidoqoftë mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë, ndonëse dihet se drejtori Rama dhe trajneri Gega në çështjet disiplinore janë në një mendje dhe zor se bëjnë pas në një situatë të tillë, pavarësisht rëndësisë së madhe që ka Trashi në skemat e Partizanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb