SHKODER– Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit për dy netë me radhë do të ngjisë në skenë e teatrit ”Migjeni” në Shkodër operën e Verdit ”Traviata”.

Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19-të, sallonet aristokrate ku luhet jeta, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violetës dhe Alfredos, në operën “Traviata” të Verdit do vinë për artëdashësit shkodran me mjeshtrin dhe talentin e trupës së artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela është shprehur se “është emocion i madh që shkojmë në Shkodër pas 31 vitesh për të shfaqur operën “La Traviata”.

“Teatri ndjen shumë detyrime jo vetëm për publikun shkodran por edhe për të gjithë publikun e qyteteve të tjera. Është ç’plurosje dhe detyrim i madh për ta futur turin në një nga linjat kryesore të kalendarit të Teatrit të Operas dhe Baletit”, tha Çela.

“Biletat teatri “Migjeni” i ka shitur ditë më parë, madje ende pa u vendosur baneri i shfaqjes. Lum Shkodra për publikun që ka”, shkruan Zana Çela në një status në facebook në promovim të këtij eventi.

Përzgjedhja e Shkodrës për shfaqjen e parë jashtë Tiranës të Trupës së Teatrit të Operas dhe Baleti nuk ishte e rastësishme.

Si qyteti ku u realizua opera e parë shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, Shkodra do të jetë qendra e veprimtarive që do të zhvillohen po nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në bashkëpunim me bashkinë për 100 vjetorin e lindjes së kompozitorit të shquar Prenk Jakova.

”Traviata” do shfaqet për dy netë me radhë, sonte dhe nesër në skenën e teatrit “Migjeni”, ora 18:00.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb