Pas publikimit të lajmit për një tentativë rrëmbimi  rreth dy javë më parë në qendër të qytetit të Peqinit, policia e Elbasnait deklaron se nuk ka pasur asnjë denoncim.  Sipas raportimeve, tre persona me një makinë tip “Benz” kanë ndaluar në qendër të Peqinit dhe kanë tentuar që të rrëmbejnë djalin e mitur të Fatos Gosës, një person me precedentë penal, i njohur si “i forti” i Peqinit.

Mësohet se tre personat kanë shkuar pranë djalit të Fatos Gosës dhe kanë tentuar ta tërheqin nga krahët për ta rrëmbyer dhe futur brenda në makinë.

Fëmija i mitur ka mundur të largohet me vrap dhe i ka shpëtuar.

Por nga ana tjetër policia deklaron zyrtarisht se ky lajm nuk është i vërtetë dhe se në Polici nuk ka pasur asnjë kallëzim për një ngjarje të tillë.

Reagimi i Policisë Elbasan

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, që bën fjalë për 3 persona të maskuar që kanë tentuar të rrëmbejnë djalin e mitur të shtetasit F. G., në qendër të qytetit të Peqinit, ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë.

Nga verifikimet dhe deklarimet e familjarëve të djalit të mitur rezulton se ky lajm nuk është i vërtetë. Theksojmë faktin se në Polici nuk ka pasur asnjë kallëzim për një ngjarje të tillë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan kërkon mirëkuptimin e mediave që të kërkojnë informacion të plotë pranë DVP Elbasan, para se të publikojnë lajme për të cilat nuk kanë informacion të saktë.

Kush është “Tos” Gosa
Emri i Fatos Gosës u rishfaq në skenë pas daljes në dosjen e Nuredin Dumanit. Aktualisht Tos Gosa,54 vjeç është nën masën arrest me burg, i akuzuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Zylyfi dhe plagosjen e shtetasit Ardit Uruçi dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

DËSHMIA, NUREDIN DUMANI
“Në vitin 2019, pasi kam dalë nga burgu më ndodhi një konflikt me Talo Çelën. Pas vrasjes së Andi Zylyfit e ndjeva veten të përdorur për arsye se benzi që u përdor në ngjarjen e vrasjes mua ma kishin falur dhe unë po e mbaja që ta shfrytëzoja për ndonjë ngjarje tjetër, grabitje ose vrasje. Këto ma kërkuan duke më thënë që i duhej shpejt pasi do kryenin vrasjen e Andi Zylyfit. Makina ishte ‘Mercedez Benz E’ ose ‘C Clas’, ngjyrë gri. Kjo makinë ka ndryshuar ngjyrë tre herë nga e bardhë, e zezë dhe gri, tek servisi Dorjan Shkozës, në zonën e Nishtullës. Unë vetë i kërkova Talo-s të merrja pjesë pasi kisha mbetur pa lekë, por ai më tha nuk të fus dot se është në pjesë Miri Haxhia dhe Altin Ndoci, ata kanë marrë kaparin.

Talo më tha që do të ta zëvendësonte makinën pasi të mbaronte ngjarja. Makinën nuk ma zëvendësoi dhe nuk më dha as lekët që më premtoi. Disa ditë më vonë 2 ose 3 ditë pas ngjarjes po debatoja me Talo Çelën se ngjarja kishte ndodhur në Peqin dhe ato kishin ardhur në Durrës për kontroll te shtëpia ime, thërritën dhe vëllain e madh po s’ka lidhje. Fajin Talo ia vinte Tos Gosës sepse ky ishte informator i lëvizjes së Andi Zylyfit. Tos Gosa është bashkëpunëtor tek të gjitha vrasjet që kanë ndodhur në Elbasan duke filluar nga Indrit Dylgjeri, 2 vëllezërit Baho dhe tek Andi Zylyfi. Tosi është diku mbi 40 vjeç, ka një lokal ose restorant në Peqin, ka pasur një golf i zi dhe një “BMV” seria 3. Tosi është kuqalosh diku tek 175cm. Këtë ua them me siguri pasi e kam takuar dhe vetë Tosin. Mbasi i është bërë atentati Andi Zylyfit kam shkuar me urdhër të Talos tek Dine Çami, i cili ka një lokal diku në qendër të Elbasanit, ka fast food. Kam shkuar tek Dine Çami kam marr një qese të zezë me lekë të ndara në 2 pjesë. Unë Dine Çamin nuk e kisha parë më parë, por kisha dëgjuar për të. Në dijeninë time, Dine Çamit lekët për vrasjen e Andi Zylyfit ia ka dhënë Kel Kamami. Dine Çami është burri i tezes së Kel Kamamit.

Dine ka pasur lidhje familjare me Kelin nëpërmjet tij ka krijuar kontakt dhe me grupin e Çopajve (vëllezërit Çopja) dhe kjo i ka mundësuar Dine të investojë shuma parash të marra prej tyre në biznese të ndryshme. Dine ka një lokal, fast food dhe një servis. Ka shumë prona që janë investime të Çopajve. Dine Çami është trup i shkurtër, i shëndoshë dhe qeros. Talo më tha do marrësh disa lekë, ato të voglat ndarjen me të vogël do ia japësh Tos Gosës. Tos Gosën e kam takuar te pishat në Peqin mesa mbaj mend ka pasur një makinë të vogël, por se mbaj mend, ndërsa Tosi ka ardh me një “Golf 5” i zi. Kemi biseduar pak dhe i kam thënë ja ku e ke porosinë tënde. Pjesën tjetër ia kam dhënë Altin Ndocit, i cili ka ardhur tek rrugica e lagjes time. Altini ka ardhur më një “C Class” 2008/2009. Mbaj mend që ka qenë aksham kur i kam dhënë lekët. Altinin e pyeta për pjesën time, ai më tha për këtë punë merret Lala (Talo Çela).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb