Gazetarja Klodiana Lala është rikthyer sërish në vendin e ngjarjes në Fshatin Gllogjan të Deçanit ku mbrëmjen e djeshme u sulmua me armë zjarri një autobus me nxënës. Në një lidhje live për “News 24” ajo ka shpjeguar edhe njëherë dinamikën e krimit makabër që u mori jetën dy nxënësve dhe shoferit.

Lala tha se edhe pse është përjashtuar mundësia e një sulmi terrorist, të gjitha pistat mbeten të hapura ndërsa hetimet e deri tanishme nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Ajo tha se pak momente më parë një njësi speciale e policisë së Kosovës sapo është larguar nga vendi i ngjarjes pas kontrolleve në zonë për kapjen e autorit.

“Vetëm pak minuta më parë një njësi speciale e policisë sapo është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me qen të specializuar për gjetjen e autorit. Prapa krahëve të mi ndodhet autobusi që shoferi transportonte fëmijët në shkollë. Rreth orës 19:00 i është bërë një prite të armatosur duke qëlluar me një kallashnikov në pjesën e përparme. Në momentin që kanë  dëgjuar të shtënat me armë fëmijët kanë lajmëruar prindërit. Nga sulmi ka mbetur i vrarë në vend shoferi dhe dy nxënës.  Një nxënës i tretë ka marrë plagë në dorë dhe është në spital dhe një nxënës i katërt ka marrë plagë të lehta. Nga dëshmitarët rezulton se një person i vetëm ka qëlluar drejt autobusit. Edhe pse është përjashtuar mundësia e një sulmi terrorist, pistat janë të hapura për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje. Hetimet nuk kanë dhënë rezultat.  Zyrtarisht policia e Kosovës ka bërë me dijue se ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore për viktimat. Ceremonia do të jetë e përbashkët. Trupat e pajetë do u dorëzohen familjeve ditën e nesërme.  Rezulton se të tre personat kanë humbur jetën si pasoje e shokut traumatik  nga të shtënat me armë zjarri”- tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: