GREQI

Katër shqiptarë u arratisën nga burg grek Petru Rali në Athinë, duke alarmuar policinë helene. Por deri tani policia greke ka mundur të arrestojë dy prej të arratisurve. I dyti u kap pasditen e sotme. Bëhet fjalë për një prej shqiptarëve që mori pjesë në përleshjen e marsit 2018 në psikiatrinë e burgut të Koridhalos, ku u vra një shtetas grek. Ndonëse nuk dihet emri i tij, thuhet se i arratisuri i dytë, u pikas nga forcat speciale EKAM në rrugen Agiou Polikarpou.

Ai nuk iu bind thirrjes për të ndaluar nga ana e policisë por iku me vrap dhe u rrëzua, duke u dëmtuar lehtë, sipas mediave greke dhe më pas u arrestua nga policia. Mësohet se shqiptari ishte i paarmatosur.

Tashmë mbeten në kërkim dy shqiptarë të tjerë, njëri i akuzuar për vrasje dhe një tjetër për grabitje. Arratisja ndodhi sot në orën 4 të mëngjesit ku 4 shqiptarët ishin vendosur përkohësisht në burgun e transferimit, pasi pak ditë më parë ishin implikuar në episode të dhunshme në burgun Koridhalos. Ata fillimisht kanë thirrur rojet për ndihmë kur një prej tyre u shtri në shesh dhe bënte të sëmurin. Sapo rojet hynë në qeli, i kërcënuan me thikë të improvizuar, u morën armët dhe celularët dhe i mbyllën brenda.

Më pas u arratisën duke përdorur një furgon policie. I pari prej tyre u arrestua në Athinë. Sipas mediave greke, arratisja ka qenë spektakolare dhe ngjante me një skenar të ndonjë filmi.

Por, për çfarë akuzohen shqiptarët e arratisur?
I arratisuri i parë është autor i vrasjes së një 30-vjeçari grek dhe plagosjes së vëllait të tij 32-vjeçar, në tentativë për t’i grabitur makinën luksoze. Viktima ishte shefi i njohur i kuzhinës greke, Niko Paputsidaki. Autori u arrestua në korrik 2013 dhe prej atëherë u transferua nga njëri burg në tjetrin pasi shkaktonte trazira.

I arratisuri i dytë u arrestua si pjesë e bandës që në prill 2018 grabiti banesën e këngëtarit Lefteri Pantazi ku morri 1000 euro dhe ora me vlerë 150 000 euro.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

I arratisuri i tretë është një nga pjesëmarrësit në përleshjen e marsit 2018 në psikiatrinë e burgut të Koridhalos, ku u vra një grek nga shqiptari tjetër që u arratis pak ditë më parë, Albiano Xhezairi. Dy prej të arratisurve nga burgu, mësohet të jenë Endrit Canaj e Xhelo Hasani.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb