Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, ku tre shqiptarë janë dhunuar në Malin e Zi.

Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi janë tre shqiptarët e dhunuar barbarisht nga një grup personash, që dyshohet se janë serbë të Bosnje Hercegovinës.

Policia malazeze identifikoi tre autorët e dyshuar të ngjarjes, ndërkohë që policia shqiptare ka dalë sot me një reagim zyrtar.

Në njoftim bëhet me dije se shqiptarët pasi kanë dhënë deklarimet janë kthyer në Atdhe të shoqëruar nga forca policore për arsye sigurie. Gjithashtu sqarohet se autorët e dyshuar janë identifikuar dhe se do të merren masa për arrestimin e tyre.

Njoftimi i policisë: 

Në vijim të informacionit për tre shtetasit shqiptarë të dhunuar në Mal të Zi, ju informojmë se:

Policia malazeze ka kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe tre shtetasit shqiptarë kanë dhënë deklarime në prani të një avokati (njohës i gjuhës shqipe) dhe të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi. Në përfundim të veprimave të para, tre shtetasit shqiptarë, me dëshirën e tyre, janë nisur për në Shqipëri.

Drejtuesit e Policisë së Shtetit iu kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shtetasit shqiptarë t’i shoqërojnë me punonjes policie, deri në kufi.

Tre shtetasit shqiptarë kanë mbërritur në PKK Muriqan, rreth ores 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar Muriqan dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër ku shtetasit shqiptarë kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore, nga të cilat kanë rezultuar pa probleme.

Në lidhje me veprimet procedurale dhe identifikimin e autorëve, sipas informacionit të dërguar nga kolegët në Malit e Zi, rezulton se:

Policia ka ndërmarrë veprime me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave në të cilat kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë.

Janë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes.

Përmes punës operative në terren, efektivët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre.

Ngjarja është dërguar për kompetencë te Prokurori i cili do të deklarojë kualifikimin ligjor të rastit.

Vijojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Kujtojmë se mënyra se sa i përket dinamikave të ngjarjes, tre shqiptarët ndodheshin në një makinë me targa gjermane, në momentin kur janë sulmuar nga një persona pa asnjë shkak.

Ata kanë goditur fillimisht makinën dhe pas daljes se dy shtetasve shqiptarë nga mjeti, janë sulmuar fizikisht edhe këta shtetas, duke ju shkaktuar plagë në pjesë të ndryshme të trupit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: