Këtë të premte në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” u soll në vëmendje historia e familjes Idrizi në Sukth. Familja jeton prej vitesh me peshën e hallit dhe dhimbjes që krijon sëmundja e fëmijëve. Jo një as dy, tre fëmijë të sëmurë janë në këtë familje. Një nga binjakët ka lindur i shëndetshëm, tjetri me paralizë. Të tre fëmijët duhet t’i nënshtrohen operacionit, njërin nga operacionet e mbulon një spital në Prizren. “Kam katër djemtë, tre janë të paralizuar nuk ecin fare, i kam në shtëpi të paralizuar, nuk e imagjinoni dot si është të jetosh me tre fëmijë të sëmurëm, është vuajtje për një nënë. Asnjë ditë nuk fillon pa u mërzitur pa qarë, është një vuajtje që nuk ka fund, jemi sprovuar me një fatkeqësi të madhe, kisha thuruar ëndrra, doja ti shikoja duke vrapuar, por na është përplasur një realitet.
Çdo prind më beson, unë kam tre fëmijë që nuk ecin dot. Sa e sa nete kam qarë, sa e sa netë jam lutur për këta fëmijë, po më plas shpirti si nënë. I kemi dërguar në një spital në Prizren, bëhen na thanë 40.000 euro. Nuk i kemi aq para. Ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve që edhe këta fëmijë të ecin si gjithë të tjerët”,-thotë e ëma e djemve të paralizuar. “Dhimbje në shpirt është, janë tre fëmijë që nuk ecin, I kam shumë merak, nuk kam çfarë të bëj. Ishalla nuk më del shpirti”,-thotë gjyshja e tre nipërve të paralizuar. Elvis Naçi vizitoi familjen Idrizi gjatë kësaj jave . “Ju qenkeni alamet çunash, jeni të mirë, por kushtet nuk i keni në shtëpi aq të mira, sprovë e madhe, mos e paftë asnjë nënë, duam që të keni lot gëzimi jo më lot hidhërimi. Shqiptari i vërtetë është ai kur u gjendet atyre në vështirësi, ne do interesohemi me spitalin dhe do bëjmë më të mirën, do shikohemi së shpejti, si emri do të bëjmë Gëzim, ju keni tre fëmijë, është bela e madhe. Ju do bëheni mirë, do luajmë edhe futboll” tha Elvisi. “Unë nuk kam asnjë lek për fëmijët, emisionin e shikoj çdo të premte, kemi një sprovë shumë të madhe, me tre fëmijë kështu, është shumë e vështirë” tha e ëma e tre fëmijëve të paralizuar. Ashtu siç u premtoi të tre vëllezërit u nisën për kurim drejt Prizrenit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb