Teksa Coronavirusi Covid 19 ka prekur më shumë se 3.6 milion njerëz në mbarë botën duke shkaktuar mbi 252 mijë të vdekur, ekziston frika për një valë të dytë të pandemisë si pasoje e lehtësimit të masave, duke bërë që shumë vende siç është rasti i Kinës të marrin masa duke e bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancave fizike dhe përdorimin e dezinfektantëve, për të shmangur një skenar të ngjashëm me gripin spanjoll të vitit 1918 që infektoi 500 milion njerëz në të gjithë botën dhe la të vdekur deri në 50 milion persona, më shumë se të gjithë ushtarët dhe civilët e vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ndërsa pandemia globale zgjati për dy vjet, një numër i konsiderueshëm i vdekjeve ndodhën brenda tre muajve të vjeshtës së vitit 1918. Historianët besojnë se ashpërsia fatale e “valës së dytë” të gripit spanjoll u shkaktua nga një virus që kishte pësuar mutacion i përhapur nga lëvizjet e ushtarëve në kohën e luftës. Kur gripi spanjoll u shfaq për herë të parë në fillim të marsit 1918, ai kishte të gjitha shenjat kryesore të një gripi sezonal. Përgjatë prillit dhe majit të vitit 1918, virusi u përhap në Angli, Francë, Spanjë dhe Itali. Rreth tre të katërtat e ushtrisë franceze u infektuan në pranverën e 1918 dhe gjysma e trupave britanike. Vala e parë e virusit kishte simptoma si ethe të larta dhe sëmundje të zakonshme që zgjasin vetëm tre ditë. Rastet e raportuara të gripit spanjoll u ndërprenë gjatë verës së vitit 1918 dhe kishte shpresë në fillim të gushtit se virusi kishte kaluar rrjedhën e tij. Në retrospektivë, ishte vetëm qetësia para stuhisë.

Diku në Evropë, ishte shfaqur i njëjti virus që kishte pësuar mutacion dhe që kishte fuqinë të vriste një njeri të shëndetshëm brenda 24 orëve nga shfaqja e shenjave të para të infeksionit. Nga shtatori deri në nëntor të vitit 1918, niveli i vdekjeve nga gripi spanjoll u rrit shumë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, 195,000 amerikanë vdiqën nga gripi spanjoll në vetëm muajin tetor. Dhe për dallim nga një grip normal sezonal, i cili kryesisht shkakton viktima në mesin e të moshuarve, vala e dytë e gripit spanjoll ekspozoi numrin më të madh të vdekjeve midis të rinjve, por edhe mes fëmijëve.

Mjekët ushtarakë britanikë që kryenin autopsi mbi ushtarët e vrarë nga kjo valë e dytë e gripit spanjoll e përshkruan dëmin e rëndë të mushkërive si të ngjashëm me efektet e luftës kimike. Historianëet besojnë se përhapja e shpejtë e gripit spanjoll në vjeshtën e vitit 1918 ndodhi pjesërisht për shkak se zyrtarët e shëndetit publik, nuk impononuan karantinën gjatë kohës së luftës. Një valë e tretë shpërtheu në Australi në Janar të vitit 1919 duke u kthyer përsëri në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Shkalla e vdekshmërisë së valës së tretë ishte po aq e lartë sa vala e dytë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb