Nga Dashnor Kaloçi

Ashtu siç pamë edhe në kapituj të tjerë paraardhës të këtij libri, ku shkrimtari Kasem Trebeshina, në vitin 1963 u ka dërguar një sërë letrash, Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, (letra që tashmë janë të njohura prej vitesh, nga që janë bërë publike prej shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, prof. dr. Sadik Bejko në librin e tij “Idhujt e rremë”), Trebeshina e përsërit të njëjtën gjë dy vjet më vonë, duke u dërguar përsëri një sërë letrash dhe ankesash në adresë të Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike. Po ashtu, si në letrat e vitit 1963, ku ai u bën me dije udhëheqjes së lartë të PPSH-së, se; nuk ka qenë dhe nuk ka dalë asnjëherë kundra vijës së partisë dhe ligjeve të shtetit, edhe në letrat e vitit 1965, ai përsërit të njëjtën gjë.

Kështu, në vitin 1963, ai u bënte me dije të dërguarve të udhëheqjes që shkuan për ta takuar në Gramsh, se: “Nuk kam qenë asnjëherë kundra vijës së partisë, përkundrazi, në vitin 1956 kur u zhvillua Konferenca e Tiranës e më vonë kur u bë kundërrevolucioni në Hungari, kam mbajtur një qëndrim të mirë dhe në këtë kohë i kam dërguar një letër shokut Mehmet Shehu, me të cilën si qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, solidarizohesha me qëndrimin që mbante partia”. Pak a shumë të njëjtën gjë Trebeshina përsërit edhe në letrat e vitit 1965, ku në mes të tjerash shkruan pasazhe të tilla si: “Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësija ime do të çdukej me një botim në kohën e duhur”. “Gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër”.

“Më mbyllën në Ishullin e Zvërnecit duke më akuzuar si revizionist, pa qenë i tillë”. “Unë jam i kënaqur që e pashë vëndin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pavarësi të plotë”. Pra: letrat pothuaj kanë të njëjtën përmbajte, por ndryshon vetëm koha kur ato janë shkruar. Kështu p.sh. në vitin 1963, ai bënte kërkesë që të mos qëndronte më në Gramsh si mësues, por ta lejonin të kthehej pranë familjes në Tiranë, apo dhe në Shijak ku kishte dhe shokun e mikun e tij të afërt, Mehmet Myftiu, kërkesë që iu plotësua, nga Shijaku tashmë ai kërkon Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike që të kthehet në Tiranë. Dhe pas plotësimit të kësaj kërkese, nga Tirana ku banonte, Trebeshina i kërkon përsëri Enverit dhe Byrosë, që; nuk është dakord që të punojë si llogaritar ku e kanë caktuar, por iu lutet atyre që të punojë si “përkthenjës”.

Sa më sipër cituam, ndryshe nga letrat e vitit 1963 ku në mosplotësim të kërkesave të tija, Trebeshina kërcënonte me grevë urie, në letrat e vitit 1965, ai “ka avancuar” më tej në “kërcënimet” e tij, duke i bërë me dije Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, se: “Në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet e mija dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi, kam vendosur që ta mbyll sa më parë jetën time, duke ngritur vetë dorën kundër saj”. Pra, kësaj radhe Trebeshina kërcënon me vetëflijim, gjë të cilën e specifikon se e bën për shkak të një sëmundje të pashërueshme që ka…?! Nga letrat dhe dokumentet arkivore që disponojmë, si ato të vitit 1963 dhe ato të 1965, edhe përgjigjet që i kthehen Trebeshinës nga udhëheqja e lartë, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj, kanë pothuaj të njëjtën frymë në përmbajtjen e tyre.

Madje, Enver Hoxha ka shkruar me dorën e tij: “Të bëjmë përpjekje ta ndihmojmë që ai të heqë dorë nga marrëzitë e tij”. Po kështu në një shënim tjetër thuhet se Mehmet Shehu ka urdhëruar që; Kasem Trebeshinën ta sjellin në Tiranë, siç dhe e sollën në të vërtetë pas letrave të shumta që ai niste në adresë të udhëheqjes. Të gjitha këto ndoshta kanë ardhur nga fakti se Trebeshina kishte lidhje farefisnie e krushqie me disa nga udhëheqja e lartë, si p.sh. Fiqret Shehu, Bilbil Klosi, Ramiz Alia etj, deri tek i vëllai, Myzafer Trebeshina, sekretari i parë I-rë në disa rrethe, apo nipi i tij, hetues në Grupin Special që gjykonte Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun, Llambi Ziçishtin, Llambi Peçinin, etj në vitin 1982. Edhe vetë Kasemi vinte nga lufta, madje me mjaft merita. Por, edhe pse Trebeshina pati një jetë plot vuajtje dhe sakrifica duke kaluar vite të tëra larg familjes, si në Ishullin e Zvërnecit, Spitalin e Burgut në Tiranë (pavioni psiqiatrik), Gramsh e Shijak, duhet thënë se në letrat e tij nuk rezulton aspak ndonjë frymë disidence, sikur është paraqitur pas viteve ’90-të nga disa adhurues të tij?! Përkundrazi, ai shprehet solidar me pushtetin komunist dhe udhëheqjen e lartë, gjë e cila si duket është bërë shkas që gradualisht atij i janë plotësuar pothuaj të gjithë kërkesat, me përjashtim të asaj që kërkonte të punonte si përkthyes. Dhe po ta krahasojmë këtë gjë me shkrimtarë dhe poetë të tjerë, si p.sh. Trifon Xhagjika në apo Hafzi Nela, ajo që ka bërë udhëheqja me Trebeshinën, pa e tepruar aspak mund të quhet një “llastim”.

Gjithsesi, duhet pranuar aksioma e vjetër se: “Çdokujt i mjaftojnë vuajtjet e veta”?! Dokumentet në fjalë i publikojmë të plota dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al http://www.gsh.al/2017/12/22/ekskluzive-trebeshina-shoku-enver-nuk-kam-qene-asnjehere-kundershtar-revizionist-shqiperia-po-lulezon/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb