Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, iu bëri thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend të votojnë Aktin Normativ, pasi sipas tij, është 100% në interes të shqiptarëve, që gjërat të shkojnë në vendin e duhur, por edhe për të dhënë një sinjal se askush nuk mund të ketë mbështetje në sallën e Kuvendit, për sa kohë është rreshtuar në anë të krimit.

Ndër të tjera, Lleshaj zbuloi dhe shifrat e aksioni “Forca e Ligjit” të ditës së djeshme, ku tha se janë sekuestruar 7 objekte dhe 71 mjete, 7 prej të cilave të blinduara.

“Akti Normativ ka filluar zbatimin, në kuadër të operacioni Forca e Ligjit. ecuria është e mirë, për faktin se deri më tani nuk kemi regjistruar kontestime për asnjë nga rastet e paraqitura në Prokurori apo Gjykatë. Ka pasur sulme politike, por asnjë rast konkret kur të jetë paraqitur një kontestim nga politika apo subjektet e tjera shoqërore. Kjo tregon se i gjithë procesi është i ndërtuar mbi baza solide dhe do shkojë drejt një përfundimi të suksesshëm. Dje janë sekuestruar në kushte emergjente 7 objekte, që u përkasin 7 shtetasve, 71 automjete, 7 prej të cilave të blinduara. Përmes procesit të vetëdeklarimit, janë në proces 37 subjekte të tjera.

Është pikëpyetja se çdo të ndodhë me ata që nuk arrin ligji t’i procedojë deri në fund të vitit. Kjo çështje mbetet e hapur për t’u diskutuar, por kjo duhet parë me rezultate konkrete që do të ketë procesi. Ju ftoj ta votoni Aktin Normativ me 100%, sepse besoj që është 100% në interes të çdo shqiptari, që gjërat të shkojnë në vendin e duhur, që pronat e fituara me gjak të mos gëzohen nga ata që janë subjekt i këtij ligji dhe për të dhënë një sinjal që askush nuk mund të ketë mbështetje në këtë sallë, për sa kohë është rreshtuar në anën e krimit. Ta votoni, që te jetë një mesazh i fortë për qytetarët e këtij vendi. Akti do të miratohet edhe me më pak se 100%, por duhet të rreshtohemi të gjithë në krahët e shoqërisë pa komente, dhe për t’i thënë gjithkujt se mund të ketë iluzione se mund të kalojë, është thjesht vala e radhës, se është një vendim që mbështetet nga gjithë politika e ndërgjegjshme e këtij vendi”, tha Lleshaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb