TIRANE

“3 persona të maskuar mu afruan dhe nisën të më godisnin në kokë. Bërtisnin ‘lekët, lekët, lekët”. Kështu deklaron Eduard Alushi, tregtari që ra sot pre e grabitjes më armë në zonën e Tregut Ushqimor në Tiranë.

Gazetarja Dorjana Bezat ka arritur të sigurojë për ‘BalkanWeb’ një prononcim nga Alushi. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30 pranë Qytetit të Nxënësve. Teksa rrëfen minutat e tmerrit kur u përball me tre persona të maskuar, pronari i dyqanit pohon se ai ishte i pari që kishte hapur biznesin në treg.

“Kisha 5 minuta që kisha hapur dyqanin. Kur më thanë ‘lekët’, u thashë se ‘nuk kam’. Më morën 200 mijë lekë që kisha në sirtar për të kthyer kusur dhe 2 kuti me steka cigaresh, gjithsej 80. Më pas u larguan sërish në këmbë në brendësi të tregut. Pasi ikën ata kam shtypur alarmin dhe policia erdhi për 5 minuta”, tha Alushi.

Aktualisht policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes. “Në zonën e “Tregut ushqimor”, persona të paidentifikuar nën kërcënimin e një sendi në dukje si armë, i kanë vjedhur pronarit të një dyqani 30 steka paketash. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, thuhet në njoftimin e policisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: