TIRANE– Për shkak të kushteve që solli regjimi komunist në Shqipëri, dy anët e të njëjtit komb humbën lidhjet tregtare që ekzistonin para Luftës Dytë Botërore. Tregtia do të niste të ringjallej vetëm pas çlirimit të Kosovës, më 1999, por me vlera modeste, pasi ndërkohë bizneset e të dyja anëve kishin hyrë tashmë në marrëdhënie tregtare me të tjerë.

Kosova me ish-republikat e federatës, sidomos me Serbinë, ndërsa Shqipëria pas rënies së regjimit totalitar ndërtoi marrëdhënie tregtare me Italinë dhe Greqinë. Mirëpo pas çlirimit të Kosovës, në vitin 1999, vendet nisën tregtinë, e cila vijoi me volume të ulëta për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore.

Por pas ndërtimit të autostradës së re, Durrës-Morinë, tregtia nisi të rritej edhe pse baza e saj mbetet e vogël. Në fund të vitit 2017, volumi i tregtar u zgjerua me 330%, në krahasim me vitin 2007, duke arritur në 29 miliardë lekë, në krahasim me 6 miliardë lekë që ishin në vitin 2017. Mirëpo tarifat e reja që do të paguhen për koncesionin në Rrugën e Kombit do ta vështirësojnë më tej tregtinë ndërmjet vendeve. Kontrata e koncesionit, që do të nisë vjeljen e tarifave më 17 shtator, parashikon të tarifojë një kamion me 26 euro.

Kjo tarifë do të rrisë koston e tregtisë me Kosovën për një procedurë me rreth 20% për bizneset e Kosovës dhe 10% për bizneset shqiptare që eksportojnë në Kosovë. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalliu, më herët është shprehur se vendosja e taksës është e padrejtë. Ai llogarit se bizneset e Shqipërisë do ta vuajnë më shumë shtimin e kostove.

“Kompanitë e Kosovës do ta kenë më të lehtë të gjejnë treg për shkak të investimeve që Kosova po bën në infrastrukturë, që do ta lidhin më shpejt me Maqedoninë me autostradën e re dhe me Malin e Zi, përmes hekurudhës që pritet të ndërtohet”. Gërxhalliu shprehu keqardhjen që, nga ana e Shqipërisë, nuk kanë parë solidaritet për ta kundërshtuar këtë taksë, sipas tij të padrejtë, sidomos nga organizatat shqiptare të sipërmarrjes.

Përparësitë e tregut të përbashkët
Për shkak të bazës së ulët, rritja ekonomike si në Shqipëri dhe Kosovë është më e larta në rajon, përkatësisht 2.2 dhe 4% në vitin 2015, por të ardhurat për frymë janë nivelet më të ulëta në rajon.

Në kontekstin fiskal, Shqipëria ka barrë më të lartë fiskale se Kosova. Shqipëria ka TVSH 20%, ndërsa Kosova ka sistemin dynivelesh 18 dhe 10%. Gjithashtu, tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore mbi 50 mijë euro në Kosovë është 10%, ndërsa Shqipëria për bizneset e mëdha, me xhiro 80 milionë lekë në vit, i taton me 15% fitimet. Kosova ka një sistem më të butë progresiv për pagat se Shqipëria, sidomos për nivelet më të larta dhe taksat e punës i ka shumë më të ulëta se Shqipëria.

Dy shtetet kanë strukturë të ngjashme të ekonomisë. Bujqësia zë 10% të strukturës së PBB-së në Kosovë dhe në Shqipëri mbi 23%. Sektori i industrisë zë më shumë se 10% të PBB-së së Kosovës, ndërsa në Shqipëri, 11%. Sektori i tregtisë zë 12% në Kosovë dhe po kaq zë edhe në PBB-në e Shqipërisë. Edhe sektorët e tjerë kanë peshë të ngjashme. Përpos shumë ngjashmërive në strukturën ekonomike, mentaliteti është i njëjtë në të dy anët e kufirit dhe këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar një treg të përbashkët unik, thotë Gërxhalliu nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Kosova ka nsipërfaqe 11 mijë kilometër katrorë dhe popullsi prej 2 milionë banorësh, Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28 mijë kilometër katrorë dhe popullsi 2.8 milionë banorë. Nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë, taksat dhe politikat ekonomike, tregu i përbashkët do të kishte rreth 5 milionë konsumatorë në një territor prej 39 mijë kilometrash katrorë. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të krijonin bashkësinë më të madhe në rajon pas Serbisë. Duke pasur ende forcën e punës në kulmin e produktivitetit, Kosova dhe Shqipëria në një treg unik do të ishin një ofertë joshëse për kompanitë e huaja, si në aspektin e tregtar, ashtu dhe në prodhim e manifakturës.

Kjo dëshirë e hershme e bizneseve për një treg unik, në fakt, nuk është bërë pjesë e axhendave të përbashkëta të qeverive, edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar. Por tani kur bota është përfshirë në një cikël të gjatë krize, shtete të vogla të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike. Madje, Serbia dhe Kryeministri saj, Aleksandër Vuçiç, ka propozuar krijimin e një unioni tregtar pa dogana në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Struktura e tregtisë
Sipas statistikave zyrtare të Kosovës, në vitin 2017, eksportet e Kosovës në Shqipëri ishin rreth 8 miliardë lekë, ose 63 milionë euro, duke zënë rreth 15% të totalit të eksporteve të Kosovës. Pas Shqipërisë, Kosova i realizon eksportet më të mëdha me Indinë me rreth 13% të totalit dhe më pas, në peshë më të ulët vijnë eksportet me Serbinë dhe Maqedoninë, përkatësisht me rreth 12% për secilën.

Nga ana tjetër, i vetmi shtet me të cilin Shqipëria ka suficit tregtar është Kosova. Eksportet drejt saj më 2017 ishin rreth 20 miliardë lekë, me një rritje 26% në krahasim me 2016. Por në raportin me totalin e eksporteve të Shqipërisë, ato zënë një peshë të vogël, vetëm 7,6% të totalit. Shqipëria, rreth 80% të eksportit e bën me Italinë, ndërsa me vendet e tjera, treguesi ka zhvillime modeste. Kosova është partneri i dhjetë tregtar i Shqipërisë në eksporte.

Aktualisht, partneri kryesor tregtar i Kosovës është Serbia, me të cilën realizon 12% të eksportit dhe 14.6% të importeve.
Marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve reflektojnë dobësitë strukturore të ekonomive respektive. Eksportet janë lëndë të para dhe prodhime bujqësore pa ndonjë vlerë të shtuar. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova e kanë ekonominë të profilizuar në konsum, i cili në të dy shtetet financohet nga prurjet e emigrantëve në një masë të madhe.

Teksa blloku i Lindjes u shkëput nga regjimi totalitar, Kosova dhe Shqipëria u gjendën në kushte të ndryshme, pa një histori bashkëpunimi ekonomik dhe partnerë tregtarë të ndryshëm. Në fund të vitit 2017, eksportet drejt Kosovës zunë 7.6% të totalit, teksa panë rritje 28% në krahasim me vitin 2017.

Mallrat më të eksportuara me Kosovën janë produktet e naftës dhe të hekurit dhe materiale të tjera të ndërtimit si tulla, çimento, frutat dhe perimet. Importet janë në nivele të ulëta. Shqipëria importon nga Kosova vetëm 3% të totalit. Më 2016 ato arritën në vetëm 8 miliardë lekë dhe dominohen kryesisht nga pijet, artikuj të gizës, teksa shihet se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm importet e drithërave.

Megjithatë, flukset tregtare të Kosovës nuk zënë as 3% të volumit tregtar të Shqipërisë me jashtë. Që në vitet e para të tranzicionit kur Kosova ishte e pandarë nga juridiksioni serb, Shqipëria krijoi lidhje tregtare me Italinë. Sot, partnerët tregtarë të Shqipërisë janë vendet e BE-së, teksa Kosova kishte burimet tradicionale të furnizimit të saj me mallra Serbinë dhe ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Ndërsa Kosova ka eksportues të parë Shqipërinë dhe për nga importet, Shqipëria renditet e shtata, në listën e vendeve me të cilat Kosova bën tregti./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb