Shqipëria realizoi me vendet e rajonit, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut rreth 10% të volumit tregtar (importe + eksporte) në vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor” (të dhënat për Bosnjën nuk janë në tabelat e INSTAT).

Në krahasim me vitin 2016, kjo peshë është rritur me 2 pikë përqindje. Panorama me këto shtete është e ndryshme, teksa Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv (+145 mln euro), ndërsa e kundërta, nga Serbia marrim më shumë importe dhe kemi deficitin më të madh tregtar (-134 mln euro). Me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka një deficit të lehtë.

Në këtë situatë, një marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në një kohë që Kosova nuk është e përfshirë, mund të krijojë një disavantazh për Shqipërinë, duke rrezikuar thellimin e deficitit tregtar, sidomos me Serbinë.

 

Kosova

Për eksportet, Kosova është partneri kryesor i Shqipërisë dhe shteti ku ne kemi suficitin më të lartë tregtar, që nënkupton se eksportojmë më shumë drejt këtij vendi, sesa importojmë prej tij. Në vitin 2020, eksportet drejt Kosovës ishin 26.2 miliardë lekë (9.7% e shitjeve totale jashtë vendit), ndërsa importet 8.3 miliardë lekë, me bilanc pozitiv 18 miliardë lekë (145 milionë eurosh). Mallrat kryesore që eksportojmë në Kosovë janë materialet e ndërtimit e metalet (kryesisht çeliku, tullat, çimento), lëndë djegëse e energji (naftë) dhe ushqime, pije e duhan. Për të gjitha grupmallrat, vlera e eksporteve është më e lartë sesa e importeve.

 

Burimi: INSTAT

 

Serbia

Serbia është burimi kryesor i importeve në rajon. Sipas INSTAT, në vitin 2020 importuam nga ky shtet mallra me vlerë 23 miliardë lekë (3.8% e totalit), ndërsa eksportet ishin vetëm 6.3 miliardë lekë. Bilanci është negativ, me 16.7 miliardë lekë (134 milionë euro), që ikin neto drejt Serbisë. Serbia dominon në shitjet drejt Shqipërisë të ushqimeve, pijeve e duhanit, mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, si dhe materialeve të ndërtimit e metaleve. Në të kundërt me Serbinë, për të gjitha grup mallrat, bilanci tregtar është negativ.

 

Burimi: INSTAT

 

Volumet e tregtisë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi janë më të ulëta. Drejt Maqedonisë së Veriut shkojnë 3.3% e eksporteve dhe vijnë 1.5% e importeve, ndërsa me Malin e Zi këto shifra janë përkatësisht  1.95 dhe 0.38%.

Me Maqedoninë, vendi ka një deficiti tregtar të lehtë, ndërsa me Malin e Zi, eksportet janë pak më të larta sesa importet.

 

Burimi: INSTAT

 

Marrëveshja rajonale

Pak ditë më parë, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, në kuadër të projektit të Mini-Shengenit ballkanik, ranë dakord për tre marrëveshje:

  1. Marrëveshje për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.
  2. Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.
  3. Marrëveshje për qarkullimin e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.

Qeveria e Kosovës reagoi duke thënë se kjo nismë nuk e ka miratimin e Kosovës. “Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Qeveria e Kosovës në një deklaratë.

 

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT