MILOT- Tregu i kafshëve të gjalla në Milot përkeqësohet çdo ditë, ndërkohë që vec vendit të shitjes, është shndërruar dhe në një vend therjes, duke sfiduar hapur institucionet shtetërore. Duke i ngjarë më shumë një xhungle, ku ligjin e bën më i forti, Tregu i Milotit duket se është shndërruar në një ishull të pacënueshëm.

Qindra kafshë tregtohen çdo të djelë në Milot, treg që funksionon si i tillë që prej vitit 1920, ndërkohë që situata është e njëjtë si para një shekulli. Kafshët janë të pamatrikuluara, veterineri i bashkisë nuk ekziston.

Mes baltës, pluhurit e qindra kafshëve pa origjinë e certifikata veterinare, Tregu i Milotit shndërrohet ditëve të djela edhe në një thertore. Ndërkohë që Bashkia e Kurbinit, nuk ka marrë asnjë masë, as për të detyruar kontaktorët që janë edhe pronarët e tokës, për të përmirësuar kushtet, as për të lënë veterinerin zyrtar që të zbatojë ligjin. Ndërkohë që Drejtoria e Bujqësisë në Lezhë, që e ka në varësi, është e pafuqishme të ndërhyjë.

E njëjta situatë u denoncuar edhe në mars 2018, por që askush nuk mori asnjë masë. Ekspertët e tregjeve të kafshëve të gjalla dhe të veterinarisë, Edi Fero dhe Agim Rrapaj lëshojnë alarmin, duke thënë se, “një treg i tillë nuk duhet dhe nuk mund të funksionojë në këto kushte”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb