Tregu ushqimor, por edhe i produkteve të qumështit e peshkut si dhe fruta-perimeve zhvillohet në mes të rrugës në Bashkinë Dimal, një problem ky i madh dhe i njëjtë për të gjitha bashkitë e qarkut të Beratit.

Çdo javë tregtohet në rrugë dhe pa asnjë kontroll për produktet ushqimore.

Shumë pranë godinës së bashkisë Dimal, në të dyja anët e rrugës automobilistike, në ujë, baltë dhe pluhur.

Kështu zhvillohet tregu ushqimor në Dimal. Askush nga pushtetarët vendor nuk ka marrë asnjë masë për ndryshimin e vendit ku zhvillohet ky treg i përjavshëm, duke i lënë tregtarët jashtë në erë e shi, në të ftohtë gjatë dimrit dhe në vapën përvëluese gjatë verës.

Me çadra dhe banakë të improvizuar, tregtarët ambulantë bëjnë sa munden, por i gjithë aktiviteti i tyre kryhet në një rrugë, duke përbërë edhe rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve. Tregtarët shprehen se kushtet janë shumë të vështira, ata duhet të përballojnë jo vetëm të ftohtin dhe baltën në dimër por edhe vapën e pluhurin në verë.

Ata shprehen se, kushtet në të cilat tregtojnë janë shumë të vështira por nuk kanë se ku të ankohen. Tregtarët pohojnë se, bashkia Dimal u ka premtuar se do ti transferojë në një treg tjetër këtë vit, ku-sipas tyre-kushtet janë edhe më të këqija.

Qytetarët e frekuentojnë këtë treg sepse produktet janë me çmime më të lira se në dyqane edhe pse s’ka asnjë kusht higjenik e sigurie, kryesisht për produktet e qumështit dhe peshkut që tregtohet në rrugë.

Vetë blerësit, edhe pse shprehen se kushtet janë të vështira dhe higjiena as që llogaritet fare ata janë të detyruar të blejnë në këtë treg pasi çmimet janë pak më të lira se në dyqane e markete.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb