Nga: REZARTA DELISULA*Eshtë e para herë që zgjedhjet më bëjnë të mendoj, duke më futur në një trekëndësh historish, njohjesh, përplasjesh dhe kjo sepse për herë të parë kam tre kandidatë që garojnë për qytetin tim, të cilët i vlerësoj. Doktor Halim Kosova, është një njeri i dashur, me shumë bonsens, punëtor… është ai që solli në jetë djalin tim por dhe qindra, mijëra fëmijë të tjerë.

Besoj se doktori është futur në politikë, duke dashur të japë pak nga përvoja e tij, sepse kështu duhet të jetë politika në raport me popullin, si një embrion që shihet me kujdes, këshillohet si të rritet mirë e në fund të lind një jetë, jetë që përmirëson e mbush me dashuri shtëpitë tona. Besoj se zgjedhja e Partisë Demokratike ishte optimale, një doktor që ngjall shpresën. Përballë tij, i zgjedhuri i Partisë Socialiste është Erion Veliaj. E njoh pak Erionin por më ka bërë përshtypje se ndryshe nga ministrat e tjerë që gjithmonë janë shumë të zënë se ashtu kanë ca punë, ai është i gatshëm tu përgjigjet gazetarëve, kudo që të jetë. Është i ri, ka ambicie, bën edhe gabime por gjithsesi ka dëshirë të punojë e në këto kohë që ka qenë ministër admiroj përpjekjen e tij për ti orientuar të rinjtë drejt shkollave profesionale.

Plus që ka dhe një favor të madh. Duke qenë gazetare e vjetër në çështjet e kryeqytetit aq sa më duket vetja sikur kam qenë dhe unë pjesë e ligjit për decentralizimin e pushtetit lokal, sot pas më shumë se një dekade jam e bindur që ne kemi ligje por s’i zbatojmë kurrë. Pra pushteti lokal për mua është tërësisht i varur nga pushteti qendror. Në këtë pikë, duke parë hendekun e krijuar mes dy pushteteve këto 4 vjet, pasojat e së cilit i vuajnë në kurriz qytetarët e Tiranës, futem edhe më shumë në mendime për zgjedhjen. Gjithsesi personalisht mendoj se PS-ja qëlloi në shenjë me Veliajn. Pastaj përballë tyre është Gjergj Bojaxhi.

Nuk e njoh thuajse fare, por ideja që një qytetar, një djalë i edukuar, i qetë, punëtor guxon të verë në garë emrin e tij përballë dy partive të forta për hir të dëshirës për ta tjetërsuar këtë qytet, për ta bërë më të jetushëm (po i shkruaj këto sepse Gjergj Bojaxhi ka nisur tashmë fushatën dhe kemi dëgjuar pjesë fragmentike të platformës së tij), më ngroh shumë. Kandidatura e Gjergjit dhe përkrahja që po shoh në rrjetet sociale, më bën të mendoj që mbase ka ardhur koha që ne duhet të votojnë njerëz dhe jo alternativa politike… Gjithsesi shpresoj edhe pse nuk jam e sigurt. Por në këtë amulli ndodhem, dhe është e para herë që ndjehem mirë, sepse nuk di kujt t’ia jap votën, sepse për mua të tre kandidaturat janë alternativa të mira. Të paktën, për fat të mirë, kam dhe rreth dy muaj kohë për ti dëgjuar e për tu menduar.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: