Veshjet e përdorura, që sikur shiteshin me ulje nëpër dyqanet e bamirësisë, tani kanë hyrë në modë, shkruan The Economist. Vestiaire Collective është një faqe online e shitjes së veshjeve të përdorura, që u paraqit në një episod të sezonit më të fundit të serialit “Emili në Paris”, i njohur për modën.

Ndërkohë, eBay, shitës online, ka bashkëpunuar me “Love Island”, një reality show popullor britanik, për t’i veshur garuesit me rroba të përdorura.

Në Javën e Modës në Londër vitin e kaluar, Vinted, një faqe lituaneze për shitjen e veshjeve të përdorura, dhe Oxfam, një organizatë bamirëse, shfaqën veshje të përdorura.

Sipas bankës Lombard Odier, tregu global i rrobave dhe aksesorëve të përdorur, tani vlen rreth 100 miliardë dollarë, nga 30-40 miliardë dollarë në vitin 2020.

Firma këshillimore McKinsey, llogarit se tregu amerikan i rishitjes së mallrave të përdorura u rrit 15 herë më shpejt se shitja me pakicë e veshjeve të reja në vitin 2023.

Në faqen Vestiaire, tani dalin rreth 30,000 artikuj të rinj çdo ditë. Në një kohë kur shumë marka të modës po hasin vështirësi me shitjet, faqet e rishitjes po lulëzojnë. Sa do të vazhdojë ky lulëzim?

Disa blerës blejnë veshje të dorës së dytë për arsye mjedisore. Industria e modës është përgjegjëse për rreth 10% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit, më shumë se transporti dhe udhëtimi ajror të marra së bashku. Industria e modës gjithashtu përdor shumë ujë.

Megjithatë, siç vë në dukje Maximilian Bittner, drejtuesi i firmës Vestiaire, “arsyeja kryesore është çmimi”. Konsumatorët me buxhete të kufizuara, po u drejtohen gjithnjë e më shumë mallrave të përdorura, për të kursyer para.

Firma Vestiaire ka llogaritur se aksesorët e dorës së dytë të blera në faqen e saj janë mesatarisht 33% më të lira se ato nga firma të tjera, si H&M. Kjo diferencë shkon në 64% për palltot dhe 72% për fustanet.

Pritet një rritje edhe më e madhe e biznesit. Analistët në Bankën Wells Fargo mendojnë se në garderobat e njerëzve ka mallra luksoze me vlerë rreth 200 miliardë dollarë që mund të rishiten, nga të cilat vetëm 3% dalin në treg çdo vit.

Për të joshur më shumë njerëz që të shesin veshjet e përdorura, platformat e rishitjes po kërkojnë ta bëjnë procesin më të lirë dhe më të lehtë.

Tarifat e listimit në faqen online për shitësit u hoqën në vitin 2016 (në vend të kësaj u ngarkohet blerësve një tarifë e vetme prej rreth 5%).

Vitin e kaluar, ky shembull u ndoq edhe nga Depop, një kompani tregtare me seli në Londër, dhe nga eBay.

Megjithatë, për shumë shitës të mundshëm, ka ende pengesa mjaft të mëdha. Zoti Bittner kohët e fundit kaloi rreth gjysmë ore duke vënë në shitje vetëm katër nga artikujt e tij në faqen Vestiaire.

Ai thotë se është ende një procedurë shumë e gjatë. Disa platforma të rishitjes tani po investojnë edhe në mjete të Inteligjencës Artificiale për t’i ndihmuar shitësit të plotësojnë përshkrimet e produkteve dhe të këshillojnë për çmimet.

Platformat e rishitjes po përdorin teknologjinë për të përmirësuar përvojën edhe për blerësit. Blerësit duan të dinë nëse mallrat janë autentike, veçanërisht kur bëhet fjalë për çmime më të shtrenjta. Punësimi i ekspertëve për të kontrolluar manualisht produktet, është i kushtueshëm dhe i ngadalshëm.

Por po sajohen gjithnjë e më shumë alternativa të çuditshme. Për shembull, Osmo, një firmë startup, përdor sensorë për të vërtetuar markën e këpucëve sipas aromës së tyre.

Ordre, një tjetër firmë startup, ndihmon markat të krijojnë një “gjurmë gishti dixhital” të produkteve të tyre, duke fotografuar pjesë të një artikulli gjatë procesit të prodhimit.

Por rritja është një gjë, fitimi një tjetër. Investitorët po humbasin durimin me platformat e rishitjes që po pësojnë humbje. Aksionet në platformën amerikane të shitjes së mallrave të përdorur, The RealReal, kanë humbur tre të katërtat e vlerës që kur kompania u listua në vitin 2019.

Aksionet e firmës online të shitjes së veshjeve të përdorura, ThredUp kanë rënë me pothuajse 90% që kur ajo u listua në vitin 2021.

Firma online Vestiaire, e themeluar në vitin 2009 dhe ende në pronësi private, premton se do të bëhet fitimprurëse në tremujorët e ardhshëm.

Vinted, që gjithashtu është një firmë private, është një përjashtim i rrallë, pasi ka arritur fitime në vitin 2023.

Firma ka investuar në logjistikë, sistemin e pagesave dhe softuerin e sigurisë. Shefi i saj Thomas Plantenga, thotë se thjeshtimi i gjërave ul kostot dhe e bën biznesin më praktik.

Ndoshta kërcënimi më i madh për fitimet është konkurrenca. Dyqanet e bamirësisë dhe tregjet online nuk janë i vetmi vend për të blerë rroba të përdorura.

Markat e ndryshme si Lululemon dhe The North Face, po mundësojnë rishitje të mallrave të përdorura. Gjithnjë e më shumë blerës po blejnë rroba të përdorura përmes platformave të mediave sociale si TikTok.

Ndërsa industria po rritet, të tjerët mund të bëhen të interesuar për të provuar fatin në këtë fushë. Zoti Plantenga i firmës Vinted, shqetësohet se firma e tij mund të shtypet një ditë nga ndonjë gjigant teknologjik në Silicon Valley.

Sidoqoftë, tani për tani, ka ende shumë garderoba për t’u pastruar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb