Myrto Uzuni ka marrë vëmendjen maksimale në Spanjë dhe jo vetëm, me sulmuesin shqiptar që vijon të qëndrojë në krye të golashënuesve më të mirë me 20 gola në Segunda Divizion.

Bomberi shqiptar që luan me Granadën, ka thyer tashmë rekordin e golave me klubin gjatë këtij edicioni, por prestigjiozja “Marca” bën me dije se ai mund të thyejë rekordin e vendosur 67 vjet më parë në La Liga 2, ku shënuesi më i mirë realizoi 25 gola.

Uzuni ka shënuar 7 gola në 7 ndeshjet e fundit, ndërsa në total ai mesatarisht shënon çdo 113 minuta lojë. Duke iu referuar trendit dhe mesatares së përgjithshëm, nëse ai nuk pëson një dëmtim, në 11 ndeshjet e fundit të këtij sezoni, ai mund të bëhet rekordmeni absolut.

Dhe me siguri Granada do të mbronte edhe vendin e dytë ose të renditej e para, që do të thoshte ngjitje direkte në elitën e futbollit spanjoll.

Nëse Granada ngjitet në La Liga, Uzuni nuk do të shitet, vetëm në rast se vjen një ofertë e çmendur që klubi nuk mund t’i rezistonte. Janë disa klube, kryesisht në Spanjë, mes tyre edhe Valencia, që kërkojnë shërbimet e sulmuesit shqiptar. Por për momentin Uzuni është i përqendruar te ndeshja e ekipit kombëtar ndaj Polonisë, teksa do të kërkojë të shënojë golin e radhës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb