Luhen 90 minutat e fundit të sezonit dhe Teuta është më pranë titullit se kurrë. Durrsakët e kanë trenin e fundit me Apoloninë dhe duhet të fitojnë me një gol më shumë në çdo rast nëse Vllaznia gjithashtu mund Laçin. Kështu ka vajtur puna, te një gol më shumë… Është treni i fundit për durrsakët që janë me meritë në krye. Kanë regjistruar 15 barazime këtë sezon, më shumë se askush tjetër. Humbën rrezikshëm një “finale” me Partizanin në shtëpi dhe për pak i lanë duart, por ja që ky sezon “i çmendur” ua dha edhe një shans. Të fundit, pa dyshim.
VLLAZNIA

Nëse ka një skuadër që e ka fituar moralisht një trofe, ajo është Vllaznia. Jo sepse të tjerët nuk do ta meritonin, por sepse me 16 ndryshime verën e kaluar, me një staf të ri dhe drejtues të rinj, sot jo vetëm që janë në garë për titullin, por mundet të marrin edhe Kupën. Çfarë mrekullie! Ah, edhe diçka tjetër: Shkodranët luajtën në këto 35 javë edhe futbollin më argëtues. Por, “treni” i titullit është aty dhe ata mund ta kapin atë. Nuk janë favoritë, por kush e mendonte në fund të sezonit se kjo Vllazni do të ishte këtu ku është sot?
PARTIZANI

U duhet një mrekulli për të marrë titullin, por përderisa matematika e lejon, e kanë për detyrë t’i bëjnë gjërat mirë. Shpërdoruan një rast të artë kundër Vllaznisë dhe tani duhen shumë kombinime për t’i nxjerrë kampionë. Për më tepër që edhe atmosfera në klub nuk është fort e mirë. Lojtarë që e kanë mendjen te kontratat, mallkime nëpër dhëmbë për Jorgjin dhe disa që tashmë e kanë gjetur skuadrën e re.

LAÇI

Një bravo e madhe edhe për kurbinasit. Kanë shanse minimale për titull, por fakti që janë ende në garë matematikisht në javën e fundit të kampionatit, duhet t’i bëjë të ndihen krenarë. Bardhezinjtë e kanë shkruar një copëz histori edhe këtë sezon. (Panorama Sport)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb