Lideri nacionalist serb, Vojisllav Sheshel ka deklaruar sot se Serbia dhe veçanërisht presidenti Tomisllav Nikoliç me dërgimin e trenit me parulla “Kosova është Serbi” në Kosovë ka tentuar të shkaktojë gjakderdhje.

Nikoliç, sipas Sheshel, është i vetëdijshëm për faktin se nuk ka më çfarë pret në jetën politike të Serbisë dhe me këtë ka dashur të krijojë një situatë që njerëzit ta shohin si udhëheqës dhe shpëtimtar.

“Nikoliç ka qenë i gatshëm që të nxisë gjakderdhje duke provokuar me trenin e udhëtarëve të vizatuar me parulla që sigurisht do t’i irritonin shqiptarët, do të nxiste zemërimin dhe terrorin e tyre, por në këtë rast edhe bandën e tyre të armatosur të formuar me mbështetjen e NATO-s”, ka thënë Sheshel.

Sipas Sheshelit, Nikolië ka pritur që shqiptarët të sulmojnë trenin. “Nëse shqiptarët sulmojnë trenin, do të kishte viktima dhe gjakderdhje, që policia serbe të reagonte”.

Sipas tij, për fat, skenari i Nikoliç nuk u realizua, pasi reagimet si të politikës ashtu edhe të popullit ishin kundër tij.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: