NGA: Aurenc Bebja*
“Paris-soir” ka botuar, të martën e 29 marsit 1938, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me udhëtimin e tri motrave të Mbretit Zog nga Amerika për në Francë, në të cilin shpjegon arsyen e kthimit të tyre të përshpejtuar në Evropë. Aurenc Bebja ka sjellë në vijim, për publikun shqiptar, tekstin e plotë të gazetës franceze, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Tri motrat e Mbretit Zog, princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, të cilat kaluan disa javë në Amerikë, po kthehen në Evropë në bordin e “Queen-Mary”. Ato mbërrijnë këtë pasdite në Cherbourg (Francë).
Producenti i njohur kinematografik amerikan, Samuel Goldwyn, i cili u pati propozuar princeshave shqiptare që t’i bëjë të famshme, gjendet gjithashtu midis pasagjerëve të “Queen-Mary”. Motrat e Mbretit Zog përshpejtuan kthimin për në Evropë, në mënyrë që të merrnin pjesë në martesën e vëllait të tyre me Princeshën Geraldinë Apponyi; ceremonia do të zhvillohet me 27 prill në Tiranë.

Gjatë paradës ushtarake, pas martesës, do të marshojë një regjiment i tërë i amazonave shqiptare, të veshura me uniforma piktoreske dhe të udhëhequra nga Princesha Maxhide. Është kjo e fundit, e frymëzuar nga idetë moderne, që ka krijuar këtë regjiment amazonash, të rekrutuara në mesin e vajzave të familjeve më të mira të Shqipërisë.
Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-soir-1938-tri-motrat-e-zogut-udhetuan-ne-bordin-e-queen-mary-me-samuel-goldwyn-producentin-e-famshem-kinematografik-amerikan/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: