Nga: PETRIT HALITI*
Diplomacia ruse po përpiqet të ngrohet në zjarrin maqedonas, ndërkohë që në dritën e informacioneve të reja po evidentohet roli i Rusisë në artificialitetin e ngjarjeve të ditëve të fundit në Maqedoni. Komprometimi i implikimit të shërbimeve të specializuara ruse dhe i filialeve të tyre në Beograd dhe në Shkup e ka vënë në pozitë të vështirë diplomacinë ruse, e cila po hedh në qarkullim diplomatik dhe propagandistik ndërkombëtar disa teza vërtet të çuditshme.
Teza e parë është ajo që ngjarjet e Kumanovës janë organizuar nga Perëndimi për të sabotuar projektin e gazsjellësit të ri rus “South Stream 2”, që mendohet se do të kalojë nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë në Serbi. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, pas bisedimeve të tij në Beograd në 15 maj me homologun serb, deklaroi se: “Ngjarjet e fundit në Maqedoni vijnë nga vendimi i qeverisë së Maqedonisë për të marrë pjesë në gazsjellësin rus ‘Turkish Stream’”. Absurditeti i kësaj teze shfaqet para së gjithash në faktin se Perëndimi, BE dhe SHBA, nuk kanë as nevojë, as arsye dhe as parim, që të shpikin grupe të armatosura, të cilat rrinë dhe presin Godonë në lagjet shqiptare të Kumanovës, për t’u dhënë pretekst policisë, tankeve dhe raketave maqedonase të rrafshojnë shtëpitë e shqiptarëve.
BE dhe SHBA nuk kanë asnjë lloj interesi apo nevoje politike dhe strategjike të ngrenë tensionet në Maqedoni dhe të sabotojnë gazsjellësin rus, duke krijuar konflikte ndëretnike dhe civile në Maqedoni. Kjo, për arsyen e thjeshtë se është Bashkimi Europian ai i cili ka kompetencën ligjore për të dhënë lejen për projektet e gazsjellësve ndërkombëtarë, që kalojnë nëpër shtetet anëtare dhe kandidate të BE. Absurditeti i tezës ruse del edhe më qartë në pah po të mbahet parasysh se gazsjellësi rus “South Stream 1”, që kishte filluar punimet në Bullgari dhe në Serbi, u ndërpre për shkak se marrëveshjet shtetërore të shteteve tranzituese me Rusinë nuk ishin përputhur me legjislacionin e BE për energjinë. Tani Moska ka hedhur idenë e projektit të gazsjellësit “South Stream 2”, që në vend të Bullgarisë, mendohet të ketë si pikë starti Turqinë, dhe do të kalojë nëpër tri shtete anëtare dhe në tri shtete kandidate të BE: BE nuk ka fare nevojë të sajojë grupe të armatosura dhe të ngrejë tensionet në Maqedoni, sepse e ka shumë të lehtë dhe të pakushtueshme të refuzojë ligjërisht ndërtimin e gazsjellësit të ri rus në këto shtete, po ashtu siç refuzoi ndërtimin e gazsjellësit “South Stream 1”. Asnjë nevojë dhe asnjë logjikë e thjeshtë nuk mund të pranojë fantazitë e diplomacisë ruse, që veprimtaria e grupeve të armatosura në Maqedoni qenka organizuar nga Perëndimi për të provokuar luftë etnike dhe civile në Maqedoni, për të destabilizuar Maqedoninë në funksion të sabotimit të idesë së gazsjellësit të ri rus.
Nga ana tjetër, projekti i gazsjellësit të ri rus “South Stream 2”, i propozuar nga Kremlini, është një projekt ende në fazën e idesë, pra nuk ka asgjë konkrete në tavolinë, as se cili konsorcium do ta ndërtojë, as marrëveshje shtetërore dypalëshe e shumëpalëshe për ta ndërtuar dhe as ka gjetur se kush do ta financojë për t’u ndërtuar. Kështu që, gazsjellësit të ri rus i shkon shprehja “Peshku në det e tigani në zjarr” dhe po të besosh fantazitë diplomatike moskovite, Perëndimi po krijon tension dhe sajon luftëra në Maqedoni për të sabotuar thjesht një ide. Presidenti rus Vladimir Putin, ua ka bërë të qartë shteteve, ku mendohet se do të kalojë gazsjellësi i ri rus, se Moska e quan të përfunduar detyrën e vet, duke e dërguar gazin në Turqi, pastaj vendet europiane le ta arrijnë vetë lidhjen me atë gaz. Kjo do të thotë se vetë Rusia nuk e ka të qartë dhe nuk e ka seriozisht se si do ta realizojë gazsjellësin e ri “South Stream 2”. Duke qenë se nuk e ka seriozisht, po përpiqet qysh tani të gjejë një alibi për dështimin e ardhshëm të projektgazsjellësit të ri, dhe t’ua hedhë fajin konspiracioneve dhe ndërhyrjeve perëndimore në Maqedoni. Moska po e përdor këtë projektgazsjellës të saj për të zhvilluar diversion në radhët e shteteve ballkanike dhe europiane.
Teza e dytë është ajo e organizimit të një “revolucioni me ngjyrë” nga Perëndimi në Maqedoni, dhe pjesë të këtij revolucioni janë, sipas ministrit të Jashtëm rus, edhe grupet e armatosura shqiptare. “Revolucioni me ngjyrë” është një term, që ka lindur nga vala historike e protestave dhe demonstratave masive të forcave demokratike dhe të popujve në shtetet që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe ku popujt u ngritën kundër regjimeve autokratike dhe për liri e demokraci. Kështu ndodhi me revolucionin e portokalltë në Ukrainë, me revolucionin e trëndafilave në Gjeorgji, me revolucionin e tulipanëve në Kirgizi etj. Të gjitha revolucionet demokratike me ngjyrë u ngritën dhe përmbysën regjime autokratike, që mbështeteshin nga Moska, ndaj dhe Moska ka kaq shqetësim për revolucionet me ngjyrë. Tani diplomacia ruse po del me tezën se po organizohet nga Perëndimi një revolucion me ngjyrë në Maqedoni, dhe Moska po nxiton t’i vijë në mbrojtje Shkupit dhe aleatit Nikolla Gruevski, i cili, megjithëse shtiret sikur është me BE-në dhe me NATO-n, në fakt është në aleancë të fshehtë me Rusinë dhe me Serbinë. Kryeministri i Maqedonisë nuk e ka dënuar aneksimin me dhunë të Krimesë nga Rusia dhe as pushtimin e territorit të Ukrainës Lindore nga forcat ushtarake ruse. Kryeministri i Maqedonisë ka refuzuar të bashkohet me politikën e BE për sanksione ndaj Rusisë, ndonëse Maqedonia është shtet kandidat i BE dhe është e detyruar ta bashkërendojë politikën e saj të jashtme me atë të BE. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë në datën 9 maj, për ngjarjet e Kumanovës, thuhet: “Shpërthimi i fundit i protestave antiqeveritare në Maqedoni është shkak për shqetësime serioze. Një numër lëvizjesh të opozitës dhe të OJF-ve të inspiruara gjerësisht nga Perëndimi, kanë zgjedhur të ndjekin logjikën e rrugës dhe të skenarit të njohur të ‘revolucionit me ngjyrë’”.
Cila logjikë mund ta pranojë se Perëndimi, drejt të cilit Maqedonia ka një orientim zyrtar, dhe është shtet kandidat i BE dhe i NATO-s, ka interes ta pengojë Maqedoninë të shkojë në Perëndim?! Nuk do ndonjë përgatitje speciale për të kuptuar se është Rusia ajo e cila po pengon me të gjitha mjetet Maqedoninë të bashkohet me BE-në dhe me NATO-n. Ishte ministri i Jashtëm rus Lavrov ai që në shtator të vitit të kaluar kërcënoi se hyrja e Maqedonisë në NATO është vijë e kuqe për Rusinë. Absurditeti i tezës së “revolucionit me ngjyrë” del qartë nga fakti se në Maqedoni nuk ka dhe nuk po zhvillohet aktualisht ndonjë revolucion me ngjyrë, i ngjashëm me Ukrainën apo me Gjeorgjinë. Ka një përplasje politike mes qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski me opozitën socialdemokrate maqedonase, e cila ka arritur të sigurojë materiale voluminoze demaskuese për shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut nga qeveria, të dëshmuara nëpërmjet përgjimeve, që organet qeveritare u kanë bërë mijëra qytetarëve, dhe që po publikohen në serial. Opozita maqedonase ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Gruevski, i cili nga ana e tij ka akuzuar opozitën për grusht shteti. Në këtë klimë të urgjencës jetike të kryeministrit Gruevski për të mbijetuar dhe për të spostuar vëmendjen e opinionit vendas dhe ndërkombëtar nga kriza e rëndë politike maqedonase, u shfaqën ngjarjet e Kumanovës. Rusia doli menjëherë në mbrojtje të kryeministrit Gruevski dhe pompoi tezën se në Maqedoni Perëndimi po organizon revolucionin me ngjyrë; se shqiptarët terroristë po bashkohen me këtë revolucion me ngjyrë, ndonëse Moska akoma nuk e ka gjetur as ngjyrën dhe as lulen e këtij revolucioni të sajuar të saj.
Teza dhe qëndrimi i diplomacisë ruse ka brenda thelbin intrigues në faktin se termi “revolucione me ngjyrë” deri tani është përdorur për shtetet, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Maqedonia është shteti i parë jo sovjetik, për të cilin diplomacia ruse po akuzon Perëndimin se po organizon një revolucion me ngjyrë. Maqedonia nuk është shtet ish-sovjetik dhe me të drejtë lind pyetja se, përse diplomacia ruse e përfshin në të njëjtën skemë me shtetet ish-sovjetike. Diplomacia ruse i konsideron edhe shtetet ortodokse të Ballkanit si republika ish-sovjetike dhe pjesë të sferës së influencës së saj, ndaj edhe e quan detyrë prej vëllai të madh që ta mbrojë kryeministrin Gruevski si beniamin të saj. Nuk shpjegohet ndryshe që, në mediat shtetërore ruse të datës 12 maj lexon: “Destabilizimi i Maqedonisë është esencialisht një luftë e porositur e Perëndimit kundër Rusisë në kontekstin e Luftës së Re të Ftohtë”. Lidhja e çuditshme, që diplomacia dhe mjetet e propagandës ruse u bëjnë veprimeve të opozitës maqedonase me veprimet e disa grupeve të armatosura shqiptare, synon të hiperbolizojë figurën e komplotit perëndimor kundër kryeministrit prorus të Shkupit.
Teza e tretë është ajo e lidhjes së tensioneve në Maqedoni me të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”, të cilën ministri i Jashtëm rus dhe mikpritësit e tij serbë, njëri pas tjetrit, e bënë refrenin e takimeve të tyre diplomatike dhe shfaqjeve publike në Beograd, duke shkelur etikën e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. MPJ e Rusisë ka publikuar që nga 15 prilli katër komunikata, ku sulmon udhëheqjen e Shqipërisë, siç bëri edhe Lavrovi në spektaklin e tij racist antishqiptar në 15 maj në kryeqytetin serb. Është një absurditet, sepse as në vitin 2001, kur shpërtheu lufta e armatosur ndëretnike në Maqedoni midis UÇK-së dhe qeverisë së partisë VMRO-DPMNE, e cila është edhe sot në pushtet, nuk pati asnjë program dhe as pretendim teorik dhe publik të UÇK-së të shqiptarëve të Maqedonisë për krijimin e ndonjë “Shqipërie të Madhe”. Ata u ngritën kundër shtypjes, pabarazisë dhe diskriminimit kombëtar, që kishte arritur nivele ku durimi popullor nuk mbante më. Por as edhe tani, ata 40 apo 50 vetë të armatosur, që u grumbulluan për arsyet e tyre në lagjen shqiptare të Kumanovës, nuk shpallën gjëkundi se po kërkonin në hava “Shqipërinë e Madhe”. Organi rus i specializuar për propagandën ndërkombëtare dhe i drejtuar nga MPJ e Rusisë, “Sputnik News”, në datën 12 maj e çon absurditetin në shkallën maksimale, duke akuzuar se luftimet në Kumanovë treguan se opozita maqedonase po koordinon me luftën jokonvencionale etnike (të shqiptarëve) me qëllim që të formalizojnë krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Diplomacia ruse mendon se ka bërë një gjetje të madhe, duke bërë një spekulim banal lidhur me përmbajtjen e termit “Shqipëri e Madhe”. Ajo po përpiqet të ngatërrojë çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë me çështjen e mitit të sajuar nga serbët të “Shqipërisë së Madhe” dhe me përrallën “Gjithë shqiptarët në një shtet në Ballkan”, mit dhe përrallë, që asnjë parti parlamentare shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë nuk i ka pasur dhe nuk i ka në programin e vet. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, si dy shtete shqiptare, është një projekt dhe proces normal historik, kurse i ashtuquajturi “bashkim i trojeve etnike sipas hartave ilirike” është një dalldi propagandistike e financuar nga serbët. Diplomacia ruse dhe serbe janë kaq pa baza në fryrjen e kësaj teze, saqë çdo muaj me porosi presin ndonjë deklaratë të ndonjë idioti të dobishëm nga Shqipëria, i abonuar në mediat ruse, serbe dhe malazeze, i cili i bie zurnasë në vrimën e bashkimit të trojeve, nga Nishi në gjirin e Artës.
E përbashkëta dhe më kryesorja e këtyre tri tezave të diplomacisë ruse për Maqedoninë është se Moska kërkon të fshehë burimet dhe rrënjët e vërteta të këtyre tensionimeve dhe të kërcënimeve të stabilitetit, të cilat po rriten në Maqedoni dhe në pjesë të tjera të Ballkanit si Bosnjë-Hercegovina dhe Mitrovica. Angazhimi kaq aktiv i diplomacisë dhe i institucioneve të specializuara ruse në ngjarjet dhe në zhvillimet e Ballkanit, është shprehje e implikimit të Moskës në proceset dhe në fenomenet negative të rajonit. Ne kemi theksuar vazhdimisht në faqet e kësaj gazete, qysh në fillim të vitit të kaluar, se Rusia, pas agresionit të saj në Ukrainë, do të acarojë tensionet në Ballkan. Dhe ajo po përdor qeveritë dhe shtetet, që janë të lidhura me një mijë fije me Rusinë, si Serbia dhe Maqedonia. Acarimet dhe tensionet që konstatohen në Maqedoni dhe përpjekjet për të ndezur vatra dhe zjarre lufte, nuk janë dhe nuk mund të jenë as interes i popullit dhe kombit shqiptar dhe as interes i BE-së dhe i NATO-s. Konfliktet dhe tensionet e reja në Maqedoni dhe në Ballkan kanë një vulë të qartë antishqiptare dhe antiperëndimore. Siç deklaronte në 11 maj deputeti i parlamentit bullgar, Angel Xhambazki, “Zhvillimet në Maqedoni mund të kenë lidhje me Rusinë. Rusia dhe Serbia janë absolutisht pas shpinës së Nikolla Gruevskit dhe i japin atij financime.”
Tri tezat idiote që po qarkullon diplomacia ruse, janë në vetvete shprehje e varfërisë së mendimit dhe qëndrimit diplomatik rus. Ato janë një përpjekje e mjerë për të mbuluar implikimet ruse në tensionimet e situatave të Ballkanit dhe ky është rreziku real që duhet të shohin politikanët dhe qeveritarët e gjithë vendeve të rajonit. Tymnaja si këto teza idiote të diplomacisë ruse duhen parë, si pjesë e veprimtarisë antishqiptare dhe antiballkanike të Rusisë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: