Presidenti i Këshillit të Lartë Shtetëror të Libisë, Halid al-Mishri, tha se bisedimet midis Turqisë dhe Rusisë për Libinë janë duke vazhduar mbi bazën e parimeve të miratuara edhe nga qeveria libiane.

Mishri mbajti një konferencë për media në lidhje me vizitën në Libi të delegacionit të zyrtarëve të lartë turq, në të cilin bënin pjesë ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Thesarit dhe Financave Berat Albayrak, shefi i inteligjencës Hakan Fidan dhe zëdhënësi presidencial İbrahim Kalın.

Duke theksuar se gjatë takimit të sotëm, ngjashëm me atë në Ankara me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, janë diskutuar ndërtimi i shtetit dhe institucioneve libiane dhe projektet e zhvillimit, Mishri tha se “vazhdimi i kundërshtimit të sulmeve të Khalifa Haftarit dhe vendosja e kontrollit qeveritar në gjithë vendin” kanë qenë çështje të theksuara në takim.

“Bisedimet midis Turqisë dhe Rusisë përputhen me parimet që ne i kemi pranuar si qeveri e Libisë”, tha më tej Mishri, i pyetur në lidhje me negociatat e zhvilluara midis dy vendeve.

“Bisedimet vazhdojnë, dera nuk është mbyllur ende. Në të njëjtën mënyrë, bisedimet që po i zhvillojmë ne mbase mund të ndikojnë në bisedimet mes tyre (Turqisë dhe Rusisë). Ne i kemi shpalosur principet tonë. Në çfarëdo faze, në çfarëdo forme, Khalifa Haftar nuk ka vend në të ardhmen e Libisë”, shtoi ai.

Mishri theksoi se vizita e sotme e delegacionit turk nuk do të jetë e fundit dhe se kontaktet midis dy vendeve do të vazhdojnë.

Ai deklaroi se janë të vendosur në kushtin që i gjithë territori i Libisë të jetë nën kontrollin e qeverisë legjitime.

Ushtria libiane kohët e fundit u ka shkaktuar goditje të rënda forcave të Haftarit, kreut të forcave jolegjitime me bazë në lindje të Libisë, duke çliruar qytetet Tripoli dhe Tarhuna, si dhe vende të tjera strategjike, përfshirë bazën ajrore të Al-Watiya.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli 2019, dhe më shumë se një mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb