Për akademikun Artan Fuga 29 nëntori nuk duhet të jetë një diskutim se kur iku gjermani i fundit.

Me një reagim në Facebook, Fuga shkruan është për të ardhur keq për atë që erdhi pas 29 nëntorit dhe  se lëvizja komuniste nuk mund të ishte antifashiste sepse që të ishte e tillë duhej të kishte në program shtetin liberal demokrat.

“29 nëndorin si datë e një Shqipërie të lirë nga pushtuesit nazistë hitlerianë nuk e caktojnë dot as ish pushtuesit, as tradhëtarët!
Ka nja tridhjet vjet që grinden partitë politike se cila është data e një Shqipërie të lirë nga nazistët gjermanë. Muhabet pas lufte! Që ajo datë është caktuar nga ata që morën pushtetin me forcën e armëve dhe duke bërë raprezalje, por që kishin mbështetje popullore, dhe caktuar në formë arbitrare – kjo nuk diskutohet.
Por, kështu caktohen datat, janë fakte artificiale, institucionale, merren me vendime, dhe aspak sipas realitetit historik të lidhur me një orë a një ditë.
Ja gjeheni ju se kur do të bëhet lesh e li partia demokratike, në 11 apo në 18 dhjetor? Imagjinoni se çfarë do debatojnë historianët pas 100 vjetësh për këtë çështje!
Se të nisesh me budallikun se kur iku gjermani i fundit ajo është data finale, kam frikë se asnjëherë nuk do të merremi vesh! Një komshije ime dikur më tregonte se e kishte mbajtur një djalosh gjerman leshverdhë si të dashurin e vet, deri në 1 prill të vitit 1945, derisa ai iku. Kishte qenë ss në Shqipëri, por ajo ja që e dashuronte. Prandaj ajo më thoshte se meqë gjermani i fundit kishte qenë dashnori i saj, sipas saj data e çlirimit të Shqipërisë paskësh qenë 1 prilli 1945!!!
Ata që ishin të fortët në pushtet do ta caktonin datën pse kush? Ata që rrinin në shtëpi pranë mangallit, apo tradhëtarët e ndyrë?
Nuk ishte tradhtarë? Mirë gjeni kush ia çoi llokum në kokë Viktorit të Duçes kurorën e Skënderbeut dhe do të gjeni emra që do ju trondisin. Apo doni emrat e poshtër të rregjencës gjermane!
Ca thonë se ajo ishte luftë çlirimtare, por nuk ishte luftë klasash. Gënjejnë si derri! Ishte që çke me të një lëvizje revolucionare, jo më kot drejtimin e saj nuk e lëshuan komunistët. Lëre se çfarë thuhet tani. Më mjaftojnë dhjetë minuta të nxjerr dokumentet historike që provojnë se ishte luftë klasash e fshatarëve pa tokë që prisnin t’ua rrëmbenin atë të kamurve. Reforma agrare i hodhi me këmbë përpjetë zengjinët e fshatit! Prona në fshat kishte edhe familja ime!
Atje fëmijët, prindërit e mi, u ngritën kundër gjyshërve të mi për t’u marrë pronat dhe rishpërndarë!A mirë a keq ky është fakti! Pse do të gënjej unë?
Paska qenë luftë antifshiste dëgjova të thonë. Futja kot! Lëvizja komuniste nuk mund të ishte antifashiste sepse që të ishte e tillë duhej të kishte në program shtetin liberal demokrat. Por komunistët kishin në mend shtetin diktaturë kundër të pasurve. Ata që drejtonin se të tjerët nuk ja kishin haberin se çfarë do bëhej.
Pra frymëzimi ishte kundër pushtuesit, por meqë pushtuesit ishin fashistë dhe nazistë, atëhere ishte edhe kundër tyre, por jo se kishte ndonjë frymëzim politik antidiktatorial, antifashist apo antinazist.
A ishin trima partizanët që të vrisnin gjermanët? Ku e di njeri!!! Trima aq sa jemi ne shqiptarët se nuk kishin zbritur nga qielli.
Imagjino ne sot kemi frikë nga patronazhistët, kemi frikë të votojmë, dhe ne frikacët e sotëm kemi “mendere” të qortojmë partizanët që përballë kishin ushtrinë më të fortë të kohës!
Fundja namin nuk bënë, por së paku nuk bashkëpunuan si tradhëtarët apo ca kriminelë që mos të nis t’i përmend emrat tani! Ndonjëri prej tyre ka vrarë të afërm të mi! Të tjerë i kërkonte që t’i pushkatonte.
Nejse, të shkuara kush i kujton tani! Por, unë mbaj mend gjyshen time që e njoh me të zeza që kur linda sepse kujtonte shtatë të vrarët e familjes së saj!
Ndërkohë komunistët e morrën pushtetin sepse i pranoi Anglia, Amerika e asaj kohe, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik se poqese Fultzi do ja kishte vendosur këmbët në një këpucë Enverit, ky do t’i vinte anash pushtetit. Do endeshin nëpër male ca kohë si partizanët grekë dhe do të vinin kokëulur nëpër burgje! Edhe unë në burg do të kisha lindur, kushedi!
Ja kjo është historia e vërtetë! Trima apo pa trima partizanët, ca divizione gjermane ndejtën në Shqipëri. Nuk besoj se ndejtën për të përballur trimat e çartun të Xhafer Devës a qelbësirat e rregjencës!
Se mos në Francë, Itali, Norvegji, Suedi, Vatikan, Zvicër, Luksemburg, etj., të majtët a të djathtët përballën më shumë gjermanët sesa të majtët në Shqipëri! Pse të turpërohemi? Fakti se disa njësi naziste u ngujuan në Shqipëri ishte një ndihmë për aleatët angloamerikanë dhe sovjetikë!
Dreq vajti puna pas lufte! Me të thatin iku edhe i njomi, sepse paranoja diktatoriale bëri kërdinë, në fillim duke kapur pas qafe tradhëtarët, pastaj duke u rënë qafë të pafajshmëve dhe më në fund duke i këputur qafën gjithë popullit.
Ndërkaq tragjedia është se sikur partizanët, edhe sikur malit kot, të kishin pas qendruar, në sajë të asaj rrezistence Shqipëria shpëtoi për qime që të mos quhej vend armik nga fuqitë e mëdha dhe të pësonte ndarjen e saj mes Greqisë të kohës, Jugosllavisë etj.
Prandaj përtej bardhë e zisë, unë kujtoj Shqipërinë pa pushtues të pasluftës në 29 nëndor dhe bashkë me të trishtohem për atë që erdhi pas e që nuk duhet të përsëritet.
Por këtë nuk mund të ma mësojnë as tradhëtarët, as k,olaboracionistët, as ata që panë të ndejturat e tyre duke mbushur xhepat me flori në kohën kur atdheu lëngonte i pushtuar!
Gjermanët do iknin vetë! – thonë ca idiotë! Por, poqese kështu do të kishin thënë ata miliona që u ngritën kundër murtajës, ne edhe sot do të ishim akoma duke bërtitur :
Heil Hitler!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: