TIRANË- Një prej eksponentëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka komentuar situatën e krijuar në Greqi. Në statusin e tij të Facebook, Tritan Shehu del në mbrojtje të qëndrimit të Merkel për krizën në Greqi, ndërsa i quan aventura politike, veprimet e Tsipras.

“Tsipras befasisht nga Athina bën një kthesë 180 gradë. Por përsëri zhvillimet nuk janë të qarta. Me të drejtë Merkel kërkon të qartësojë përpara vendimeve finale “mesazhin e referendumit”, i kërkuar dhe i miratuar në mënyrë absurde nga radikalët e majtë. Ndërkaq Greqia fatkeqësisht është në prag të katastrofës për shkak të kthesave aventureske politike të këtyre 6 muajve të fundit nga ajo shumicë e spektrit të majtë”, thotë Tritan Shehu, ndërsa ka postuar edhe disa foto të qytetarëve grekë pranë bankomateve.

“Pamjet e sotme aty, që ne shqiptarët i lexojmë qartë, janë shokuese. Ato të transmetojnë një keqardhje të thellë për Greqinë mike, për të papriturat ku po e çojnë këto politika të majta thellësisht të gabuara”, shkruan ai.

Shehu përgëzon për qëndrimin partinë Nea Demokracia, një qëndrim sipas tij i kujdesshëm dhe stabilizues.

“Nga ana tjetër dallohet qëndrimi i përgjegjshëm dhe i qartë i Nea Demokracisë, qëndrim ky që duhet përshëndetur fuqimisht. Edhe sot duke biseduar me ata kolegë, e mirëkuptoj këtë pozicionim të Samaras të kujdesshëm e stabilizues, për të evituar më të keqen, në këto momente kaq të vështira për atë vend, me të cilin ne na bashkojnë shumë gjera të së kaluarës, duke shpresuar edhe të së ardhmes”, përfundon Tritan Shehu.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: