Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD Qarku Gjirokastër, Prof.Dr.Tritan Shehu, ka depozituar mëngjesin e sotëm në organin e akuzës kallëzim penal në ngarkim të shtatë kryetarëve të bashkive të Qarkut.

Sipas Shehut, këta të fundit kanë shkelur ligjin disa herë kryesisht për mos vënien në dispozicion të hapësirave publike subjekteve politike për reklamimin e posterave elektoralë brenda afatt që përcakton ligji. “Vec kësaj edhe disa shkelje të tjera që bien ndesh me nenet e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, deklaron Shehu.

Pjesë e dosjes voluminoze, që dorëzoi sot Shehu, kanë qenë edhe drejtues të institucioneve të ndryshme publike, të cilët ushtrojnë presion ndaj punonjësve të administratës me qëllim diktimin e votës dhe orientimin e saj në favor të partisë në pushtet.

“Pjesëmarrja hapur e këtyre drejtuesve institucionesh në orarin e punës, është një tjetër shkelje që u rëndon atyre dhe për të cilën do të mbajnë përgjegjësi penale.

Fakte dhe prova konkrete janë dorëzuar sot duke i kapur në flagrancë në shkelje drejtuesit që akuzohen”, thekson ai. Shehu nuk bëri publike emrat e drejtuesve të institucioneve, por garantoi se ato do të bëhen pulike fill pasi të depozitohen në organin e akuzës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb