Paradites e kësaj të Marte, deputeti demokrat Tritan Shehu në një dalje para mediave nga Kuvendi, theksoi edhe një herë nevojën sipas tij për mbajtjen e një rezolute për qëndrimin e Shqipërisë ndaj luftës në Ukrainë.

Shehu tha se Kuvendi po hesht për çështjen e Ukrainës, ndërsa e cilëson këtë si prioritet.

“Ne 7 deputetë kemi paraqitur përsëri kërkesën për një rezolutë dhe masat që duhen marrë duke filluar që nga largimi nga Ballkani i Hapur. Duhet të vëmë para publikut shqiptar në plan të parë këtë ngjarje. Kjo është çështje prioritare”, tha Shehu.

I pyetur për takimin që zhvilloi sot kreu i grupit parlamentar i PD Enkelejd Alibeaj me ambasadoren amerikane Yuri Kim, Shehu tha se nuk dëshironte që të komentojë lajme që sipas tij janë sekondare.

“Nuk dua të hapem në lajme të tjera që me duken sekondare në këtë moment. Ka kohë edhe ajo çështje për t’u diskutuar. Sot kam ardhur këtu të paraqes rezolutën. Nuk dua të ndalem në elementë të tjerë që për mua në këtë moment janë sekondare. I rëndësishëm është qëndrimi i Shqipërisë. Gabimet trashanike që po bën kjo maxhorancë për të shuar këtë diskutim në Kuvendin shqiptar”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: