Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Tritan Shehu e konsideron qeverisjen e majtë një anije pa busull, ndërsa problemet PS-LSI i lë jashtë interesave të së djathtës shqiptare. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Shehu shprehet se PD-ja është një skuadër vlerash me drejtuesin e saj, Lulzim Basha, që me punën e tij po i jep PD-së sipas tij, vizione e forma të reja organizimi. Ndërsa në lidhje me Sali Berishën, ai shprehet se ish-kryeministri ka një vend të veçantë në skuadrën që quhet PD.
Z.Shehu, si po qeveris e majta në pushtet?
Ju pyesni për ecurinë e qeverisjes. Është e vështirë, së pari të gjesh një përkufizim të qartë politik e ideologjik për këtë qeverisje. I ngjan më shumë një anieje në një oqean të egërsuar, që udhëton pa busull e bile disa herë edhe pa timon. Pra, ka një kaotizëm politik në kolonat e saj. Kjo maxhorancë erdhi në pushtet me spekulime të thella populiste e ultra majtiste. Absolutisht ishin gënjeshtra utopike e “gjumë-vënëse”. Premtoi “qiejt”, premtoi 300 mijë vende pune, rritje rrogash e pensionesh, ulje taksash, shëndetësi falas, investime publike e të huaja, bujqësi moderne, etj., etj. Ku jemi sot? Jemi diametralisht në anën e kundërt. Asnjë rritje rrogash e pensionesh, rritje çmimesh si ai i karburanteve, energjisë elektrike, produkteve thelbësore në treg etj. Nuk ka asnjë investim të rëndësishëm publik apo privat, papunësia në rritje etj. Ka vetëm taksa të reja e rritje të tyre, duke arritur deri tek ajo e “qenve të shtëpisë”! Nga ana tjetër po realizohen politika aspak në përputhje me sektorët thelbësore publikë, siç është ajo e koncesioneve në shëndetësi, që është diametralisht e kundërt me filozofinë e majtë dhe premtimet e tyre. Dhe këto po realizohen në mënyrë absurde duke keqpërdorur fondet publike, dezintegruar institucionet dhe krijuar monopole private kontrolluese në treg. Pa dyshim të gjitha këto zhvillime kanë pasoja thellësisht negative mbi popullatën, pritshmëritë e saj. Diçka e tillë u reflektua qartësisht dhe me eksodin e ri masiv të shqiptarëve drejt Gjermanisë. Kjo maxhorancë premtoi gjithashtu luftë me korrupsionin e krimin. Ku jemi sot? Ju i lexuat vetë konkluzionet e Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Janë thellësisht shqetësuese, pra gjendja është përkeqësuar. Le të shohim dhe një plan tjetër, atë të politikës së jashtme e integrimit europian. Shqipëria duhej të kishte aplikuar prej muajsh për hapjen e negociatave. Dhe kjo duhej të mbyllej pozitivisht brenda këtij viti. Dhe të gjitha mundësitë ishin. Ndërsa deklarohet se do të aplikohet këtë vjeshtë. Pa asnjë dyshim është shumë vonë. Gjithashtu, kjo qeverisje e filloi mandatin e saj me një konfuzion dhe amatorizëm në politikat e jashtme e rajonale, duke transmetuar idenë e “vitit zero” për Shqipërinë.
A nuk mund të përmendni edhe arritje të qeverisjes?
Duhet të jemi të qartë në diçka, detyra e opozitës është kryesisht të evidentojë problemet qeverisëse e të japë alternativat e saj zgjidhëse. Kjo është bërë pa ndërprerje e po bëhet pa ndërprerje. Opozita nuk është për të promovuar “sukseset qeverisëse”, prandaj dhe pyetja juaj nuk mund të marrë përgjigje, sidomos kur realisht nuk po gjej ndonjë të tillë. Por nga ana tjetër ne, si çdo opozitë demokratike kemi qenë e jemi të hapur të bashkëpunojmë me maxhorancën, aty ku idetë përputhen, apo ku arrihet kompromisi në të mirë të vendit.
A shikoni ndonjë krisje mes PS-së dhe LSI-së, siç po flitet kohët e fundit?
Së pari, dua të theksoj se unë e shikoj punën e maxhorancës në tërësi dhe përgjegjësitë për dështimet janë të sajat. Së dyti, nuk e kam për qëllim në vetvete ta analizoj punën qeverisëse në atë plan që ju shpreheni. Për mua, maxhoranca është një e tërë dhe si e tërë nuk po bën atë që duhet e ka premtuar. A ka probleme brenda saj? Pa dyshim që ka dhe kjo është normale të ketë, por këto nuk ndryshojnë asgjë në mënyrën e qeverisjes së tyre, përkundrazi e keqësojnë atë. Kjo, sepse dhe “problemet” brenda tyre nuk janë të karakterit programor a ideologjik në funksion të mbarëvajtjes së vendit. Janë thjesht në funksion të interesave pragmatiste midis tyre, pra që nuk paraqesin asnjë interes për PD, apo kursin politik të ecurisë së vendit.
Pse thoni kështu? Kjo mund të ketë interes për ju, për një koalicionin tuajin me PS ose dhe LSI, që t’ju kthejë në pushtet?
Së pari, unë kthimin në pushtet të PD-së nuk e shoh te lëvizje të tilla mekanike numrash. Unë atë e shoh te vota e elektoratit për PD në zgjedhjet e ardhshme. Dhe ne për këtë po punojmë e përgatitemi seriozisht. Kjo është kolona jonë dhe kështu do të ndodhë. Absolutisht PD nuk e ka shtruar sot opsionin e një koalicioni me PS apo LSI, as është diskutuar diçka e tillë. PD është opozita e këtij vendi. Ajo po e kryen mirë rolin e saj, ndërsa qeverisja në tërësi është treguar e paaftë. Kështu fitorja e nesërme i takon opozitës, pra PD-së. Si përfundim, unë dëshiroj të jem shumë i qartë edhe për të kontestuar dhe disa spekulime mediatike. Dëshiroj të konfirmoj mosekzistencën e asnjë opsioni të tillë te PD, për koalicione me PS ose LSI. Ka vetëm një opsion, ai i përgatitjes për fitoren tonë politike.
Ju gjithmonë kur thoni “opozita” lini të kuptohet PD, po aleatët tuaj, ata që janë dhe ata që u larguan duke ju dëmtuar?
Po, keni të drejtë, kur unë flas për opozitën apo qendrën e djathtë shqiptare nënkuptoj PD. Dhe këtë e bëj për të qenë i qartë e realist. Ju mendoni se mund të ekzistojë opozitë shqiptare sot pa PD? Absolutisht jo. Por mund të ekzistojë dhe të fitojë edhe pa ato partiçka, që morën deputetët nga PD dhe më tej mbi bazën e një “merkatoje deputetësh” i çuan majtas. Dua ta përmend këtu që ishte gabimi i ynë që u dhamë hapësira të pamerituara atyre partive. Ishte gabim vendosja në listën elektorale të PD të emrave që nuk ishin të sajat, qoftë të kryetarëve të partive të tjera, qoftë të individëve të tjerë. Nga ana tjetër, ato parti morën edhe brenda koalicionit, si parti më vete vota, në sajë të PD e reputacionit të saj, pra rezultati i tyre u “fry” artificialisht. Kjo logjikë të çon dhe në një konkluzion tjetër politik, që numrat e cilësuara të koalicionit të majtë nuk përputhen me rezultatin real, por janë abuzive. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u pasur në konsideratë gjatë vendimmarrjeve që kërkojnë të tilla votime, qoftë nga maxhoranca, qoftë nga institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu, dua të theksoj se sot ne kemi parti aleate, luajale që bashkëpunojmë prej vitesh, por sidoqoftë gjithsecili duhet të jetë koshient i dimensioneve të tij dhe i rolit që mund të luajë. Ky është realizëm dhe vetëm kështu mund të ndërtohen baza të drejta bashkëpunimi dhe premisa fitoreje.
Pra, ju e mohoni që humbja aq e thellë e PD në zgjedhjet e fundit lokale pati këto shkaqe? Atëherë pse ndodhi?
Së pari, dua të theksoj që nuk pati ndonjë “humbje kaq të thellë”. Vërtet rezultati nuk ishte ai që dëshironim dhe ndoshta që prisnim. Por në nivel votash për kryetarët, në tërë vendin, ne patëm një rritje të theksuar ndaj 2013. Dhe ky është një hap pozitiv i rëndësishëm. Nga ana tjetër, është e vërtetë se largimi imoral i disa partiçkave “aleate” shumë afër zgjedhjeve dha disa efekte negative perceptimi, gjë që influencoi në rezultat. Por ky është imoraliteti i tyre politik, përgjegjësia e tyre ndaj elektoratit, që u trajtua nga ata si një turmë amorfe. Ajo që ndodhi ishte gjithashtu dhe një mësim për ne, që të mos ripërsërisim ato gabime për të cilat fola. Dhe ky konkluzion u konkretizua te qëndrimi i drejtë i PD për të kandiduar në të gjitha njësitë kandidatë të saj. Ju kërkoni dhe shkaqe të tjera për rezultatin që na dha pak njësi vendore. Pa dyshim një shkak i rëndësishëm ishte dhe ndarja administrative arbitrare dhe e studiuar për ato efekte politike. Ka edhe të tjera, që lidhen me punën tonë për të cilat rezervoj të flas më konkretisht në një moment të dytë. Kjo, sepse për këto çështje nga shtatori në PD do të realizohet një analizë e hollësishme e punës së bërë, nga do të dilet edhe me konkluzionet përkatëse. Në një gjë të jeni të sigurt, kjo analizë dhe konkluzionet e saj do t’i shërbejnë veçse zgjerimit e forcimit të partisë.
Dhe një tjetër pyetje, a është Lulzim Basha realisht promotor i ideve të tij dhe cili është “kontrolli” që ka Sali Berisha në vendimmarrjet e PD-së?
Disa herë kam hasur në media të tilla insinuata. Realisht ose janë dashakeqe, ose vijnë nga moskuptimi i funksionimit të një partie demokratike. Pa dyshim që Basha është kryetari i PD me të gjitha atributet, funksionet e përgjegjësitë e tij. Ai me punën e tij po i jep PD vizione e forma të reja organizimi. Ky është realiteti, por kjo nuk do të thotë që PD nuk duhet e nuk do të respektojë të gjitha potencialet e saj. Ne themi që po zgjerohemi e jo të tkurremi. Dhe këto potenciale janë të shumta në PD. Kombinimi i tyre me të rinjtë është thelbësor. Çdo zhvendosje nga një ekuilibër i tillë do të ishte me pasoja negative. Gjërat nuk janë bardh e zi dhe as përjashtuese në demokraci. Ndryshe do të përsëritnim sot qoftë “zakonet” e komunizmit, qoftë edhe disa nga gabimet tona, që dikur kemi bërë në PD, apo kështu dhe ndodhitë negative të PS së viteve të fundit. Ndërsa në lidhje me Berishën, që ju pyesni, ai ka një vend të veçantë në skuadrën tonë, që quhet PD; është pjesë e saj me shumë vlera. Ai është figurë thelbësore e zhvillimeve pozitive shqiptare në këto vite, që nga ’90-ta, si dhe një faktor i rëndësishëm stabilizues rajonal. Kjo është e vërteta, ky është morali i ynë, që forcon në këtë mënyrë dhe veçse e pasuron PD. Këto parime nuk cenojnë aspak funksionet e rolin e Bashës si kryetar. Përkundrazi, kjo filozofi ia shton ndjeshëm vlerat skuadrës që ai drejton, pra në mënyrë direkte dhe atij vete, gjë për të cilën ai ka qenë në lartësinë e duhur.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: