TIRANË

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu deklaron se nëse Shqipëria nuk fillon procesin e vaksinimit deri më 15 janar të paktën për personelin shëndetësor, kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri me pasoja tragjike.

Në një postim Shehu shkruan se ndërsa kudo ka nisur vaksinimi ose po bëhen përgatitjet duke sjellë si shembull Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, në Tiranë dëgjohen vetëm disa kukuvajka.

Sipas tij, në Shqipëri duhet të vijnë vetëm vaksina Covid të certifikuara nga EMA ose FDA, pra që mund të qarkullojnë në BE, SHBA etj; çdo tjetër prurje përbën shkelje të rëndë të sigurisë medikamentoze.

MESAZHI I PLOTË
Çdo ditë e humbur pa vaksina: vdekje, dëmtim shëndeti, shpenzime për shëndetësinë, rrënim i ekonomisë!

Ndërsa kudo ka filluar vaksinimi Covid a po bëhen përgatitjet për 27 dhjetorin, qarkullojnë avionë e kamionë me vaksina, përfundojnë infrastrukturat, mobilizohen me mijëra specialistë, në Tiranë dëgjohen vetëm disa kukuvajka ndjellakeqe për të na bindur në “largpamësinë” e Ramës, që na la pa vaksina.

Nqs Europa etj luftojnë për ta afruar qoftë dhe me një ditë fillimin e vaksinimit, deklarojnë edhe oraret, Qeveria Rama flet me tre mujore, edhe ato pa kontratë, pa emër vaksine, pa sasi e limite kohore, pa infrastrukturë!

Dje edhe Serbia fqinje mori vaksinat e para Pfizer, Maqedonia e Veriut në ditët e para të Janarit, sepse ata kontraktuan me prodhuesit a vendet kryesore, si ne kemi kërkuar prej shtatorit, pra:

– Nqs Shqipëria nuk fillon procesin e vaksinimit deri më 15 janar së paku për personelin shëndetësor, kemi një papërgjegjshmëri me pasoja tragjike.

– Shqipëria ka nevojë në total minimalisht për rreth 5,5 m doza, siç kemi publikuar prej muajsh.

– Në Shqipëri duhet të vijnë vetëm vaksina Covid të certifikuara nga EMA ose FDA, pra që mund të qarkullojnë në BE, SHBA etj; çdo tjetër prurje përbën shkelje të rëndë të sigurisë medikamentoze.

– Shpenzimet buxhetore për këtë proces do të arrinin në rreth 55 M E, krejt e mundshme kjo, nqs do të ishte vepruar në kohë pa u ngurtësuar te COVAX e pa bërë ironi me propozimet tona.

Prandaj sot jemi përsëri “delja e zezë” e Evropës edhe për Vaksinimin, gjë që rrezikon të na bëjë të humbim edhe “lëvizjen e lirë”, tejkalimi i së cilës varet tashmë vetëm nga zemërgjerësia e partnerëve, të cilëve ne jemi duke iu lutur të na ndihmojnë sado pak.
P.S: Fotot janë të arritjes së djeshme të vaksinave të para Pfizer në Beograd!

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb