TIRANË- Deputeti demokrat Tritan Shehu e ka krahasuar paketën antishpifje të anoncuar nga kryeministri Edi Rama me nenin e famshëm në komunizëm të agjitacionit e propagandës.

I ftuar në News24 në rubrikën “Opinion” Shehu ka komentuar këtë plan të kryeministrit ndërsa ka theksuar se problem në Shqipëri nuk janë shpifjet për institucionet por dhunimi i tyre. Ai tha se kjo paketë është një mbyllje goje.

“Paketa antishpifje si neni i agjitacion e propagandë kur mjaftonte të thoshe nuk ka vezë në dyqan dhe futeshe në burg. Problem në Shqipëri nuk janë shpifjet për institucionet por dhunimi i institucioneve. Kjo do të thotë t’u mbyllësh gojën njerëzve, të frikësosh njerëzit. Mënyra e përdorimit të kësaj gjëje sot tingëllon si një kërcënim ndaj daljes së të vërtetës”, deklaroi Shehu.

I pyetur për çështjen e Xhisiela Malokut, Shehu tha se si qytetar dënon dhunën, por për të problemi më i madh është fshehja e dhunës nga institucionet.

“Si qytetar e ndiej veten shumë keq, shumë keq në çdo moment kur ka dhunë. Dhuna është primitivitet, është arkaizëm. Por problemi këtu është shumë i madh. Fshehja e dhunës nga institucionet për arsye të përfshirjes së maxhorancës, për arsye që kërkohen që mos të dalin të vërtetat, në një kohë kur institucionet duhet të bënin punën e tyre. Policia e para duhet të njoftonte, të bënte të mundur që kjo vajzë të merrte të drejtën e saj. Institucionet nuk përdoren për të mbrojtur qytetarët por krimin”, deklaroi Shehu.

Si ish-ministër i Jashtëm, Tritan Shehu komentoi edhe situatën në Maqedoni dhe referendumin i zhvilluar të dielën. Shehu tha se politikisht ky referendum është i fituar, ndërsa shtoi se pati ndërhyrje nga jashtë, duke iu referuar Rusisë.

“Mendoj se politikisht ky referendum është i fituar. Pati interferenca për të bllokuar referendumin dhe për të tentuar për të bllokuar rrugën europiane dhe në NATO të Maqedonisë. Interferenca të vendeve të tjera që janë të interesuar ta mbajnë Maqedoninë jashtë NATO-së. Edhe Rusia. Nuk ishin të vogla interferencat dhe ne u paralajmëruar për këtë në takimet që patëm. Sidoqoftë unë mendoj se rezultati është pozitiv.
Kaq ishin mundësitë për të votuar. Për mua kanë probleme. Kanë votuar mbi 600 e ca mijë vetë pro. Rezultatin e konsideroj pozitiv. Gjithçka varet nga votimi në parlament. Shpresoj që të jetë pro”, deklaroi Shehu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb