Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD për Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, ka vizituar familje të varfëra në zonën e Memaliajt. Ai është ndalur te dy familjet Mihasi dhe Duro, që sipas tij, janë shembulli i qartë i ndëshkimit të pushtetit të Rilindjes.

Shehu shprehet se të dy familjet jetojnë në kushte tmerrësisht të vështira. Sipas demokratit, familja Mihasi në Luftinjën e Sipërme jeton vetëm me 10 mijë lekë që janë të destinuara vetëm për barnat e kryefamiljarit paraplegjik Kastriot Mihasi. “Ky i fundit ka katër fëmijë dhe jeton në një kasolle pa kushte elementare, pa energji elektrike dhe pa ujë. Ndërsa pushteti lokal në Memaliaj, ka ndëshkuar me heqjen e asistencës ekonomike familjes Duro në fshatin Martalloz”, thekson Shehu.

Kryefamiljari Gjolek Duro, në bashkëbisedim me Shehun, thotë se kryetari i Bashkisë Memaliaj i zgjedhur më 30 qershor 2019, Gjolek Guci, i ka hequr asistencën ekonomike vetëm pasi ai bashkë me gruan, refuzuan të shkonin në votime. “Ndëshkimi ishte i pamëshirshëm dhe kësisoj të gjashtë pjestarët e familjes Duro, nuk kanë se cfarë të ushqehen pasi askush nuk është në marrëdhënie pune.

Madje djali i madh Sokrati, ka lënë Gjimnazin për të mbledhur bimë medicinale së bashku me të atin për të siguruar kafshatën e bukës që Bashkia e Memaliajt ja hoqi 1 vit e gjysmë më parë”, vijon demokrati. I gjendur përballë kësaj situate, Tritan Shehu ka premtuar se ndëshkimi për autorët që i privuan asistencën ekonomike për refuzimin e farsës zgjedhore të 30 qershorit, nuk do të vonojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb