TIRANË

Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza dhe nuk janë fundi i botës. Kështu mendon ish-deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili ka komentuar situatën në vend në studion e “Opinion” në News24.

Shehu tha se protestat e opozitës janë për të dhënë një mesazh të qartë përshkallëzimi për të detyruar maxhorancën për një zgjidhje.

“Do detyrohen të gjithë sepse realisht problemi duhet zgjidhur pasi ndryshe gjërat do shkojnë keq e më keq. Nëse nuk zgjidhen problemet, kriza do thellohet. Zgjedhjet e parakohshme në një vend demokratik nuk janë fundi i botës. Fundi i botës janë krizat e mëdha që thellohen e shpërthejnë. Zgjedhjet e parakohshme janë një mënyrë për të kaluar krizat.

Të hysh në një proces zgjedhje të parakohshme nuk ka asgjë të keqe. Kemi një krizë pluridimensionale e cila kërkon një rikonfigurim. Kemi një krizë institucionale sepse nuk ke gjykata kushtetuese, nuk ke parlament”, tha Shehu.

Ai shpjegoi dhe nocionet e qeverisë teknike dhe asaj tranzitore.
“Qeveria teknike është një qeveri që mund të ketë mandat shumë të gjatë që mund të ketë detyra të ndryshme sipas problemeve që janë. Kurse këtu kërkohet një qeverisje që të ketë mandat të qartë për të çuar përpara në zgjedhje të parakohshme. Mund të jetë disamujor, është i mjaftueshëm që të sigurohen ato premisa që të mos ndodhë ajo që ndodhin në zgjedhjet e kaluara”, tha ish-deputeti.

Shehu shprehu edhe njëherë qëndrimin e opozitës se zgjedhje në 30 qershor nuk mund të ketë.
“Qeveria mund të jetë e bindur edhe Enver Hoxha ishte i bindur që mund të bënte zgjedhje vetëm por zgjedhje nuk mund të ketë pa opozitën. Nuk janë zgjedhje por fillimi i krizës.

Opozitë këtu është në radhë të parë PD, forcat e tjera demokratike. Opozita është ajo për të cilën ka votuar qytetari, ajo që vë qytetarët në lëvizje. Një opozitë që krijohet në një dhomë dhe mbetet në dhomë s’mund të jetë opozitë. Opozitë në radhë të parë është PD bashkë me aleatët e saj. Qytetarët shqiptarë kanë votuar për të dhe i kanë besuar e protestojnë me të”, deklaroi Shehu.

Sa i përket zgjidhjes dhe ndërhyrjes nga ndërkombëtarët, Shehu tha se e sheh zgjidhjen nga maxhoranca.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb