PUKË- Shpërthim me tritol gjatë natës në Hidrocentralin e Gjegjanit në Pukë. Mësohet dy persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e hidrocentralit dhe kanë marrë peng rojen, ndërsa pasi e kanë dhunuar e kanë lidhur me tela rreth 600 metra larg e më pas i kanë vënë HEC-it lëndën plasëse. Ngjarja e rëndë është shënuar mesnatën e së mërkurës.

Nga të dhënat paraprake mësohet se nga shpërthimi ka pasur dëme të mëdha materiale, por pa pasoja në njerëz. Bëhet e ditur se nga shpërthimi janë shkatërruar 3 turbinat e hidrocentralit. Sakaq, sipas administratorit të këtij HEC-i dyshohet se shkak i kësaj ngjarje është bërë mungesa e ujit, ku shpërthimi dyshohet të ketë qenë një hakmarrje e mundshme. Bëhet e ditur se puna në HEC ka ndaluar para një muaj, gjë që kishte sjellë dhe ndërprerjen e ujit pas pretendimeve të banorëve të Gjegjanit se u merrte atyre ujin që përdornin për vaditje. Ky vendim u mor nga bashkia e Pukës, deri në një kohë sa të zgjidhej konflikti me banorët.

Ndërkohë, dyshohet se dëmi i shkaktuar nga shpërthimi kap vlerën e 3 milionë euro, ndërsa HEC-i ishte dhënë me koncesion 30-vjeçar. Sakaq, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: