KRUJE – Një tjetër shpërthim me tritol është shënuar mbrëmjen e së premtes në qytetin e Krujës. Burime zyrtare nga policia lokale, pohuan se ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 në lagjen “Gur-Kuqe”, në automjetin tip “Renault” me targa AA 243 LL të Armando Cenjës, banues në Fushë-Krujë. Fatmirësisht nga shpërthimi pati vetëm dëme të vogla materiale, pa asnjë të lënduar, për shkak se makina ka qenë e parkuar dhe pa njeri brenda. Policia e Durrësit që kryeson hetimet për ngjarjen bëri me dije se nuk përjashtohet mundësia që ky shpërthim të jetë i inskenuar nga vetë pronari i mjetit. Ndërkohë që po hetohet dhe në një pistë tjetër, atë të shpërthimit me eksploziv për shkak të konflikteve të mundshme të 24-vjeçarit me persona të tjerë. Mësohet se Armand Cenja ka në pronësi një dyqan celularësh në Fushë-Krujë dhe nuk ka qenë person i skeduar në polici, apo më herët të ketë bërë denoncim për persona të përveçëm. I marrë në pyetje nga grupi hetimor, Cenja ka thënë se e kanë kërcënuar disa herë në telefon dhe dyshimet bien mbi personat që i kanë vrarë vjehrrin 5 vjet më parë. “Nuk kam konflikte të hapura me asnjë njeri, ndaj nuk mund të dyshojë tek askush për shpërthimin me tritol. Në të njëjtin vend ku shpërtheu tritoli në makinë, 5 vite më parë është vrarë edhe vjehrri im. Unë nuk kam asnjë pistë të mundshme në dorë. Familja është traumatizuar, pasi ngjarjet ndodhin njëra pas tjetrës. Tre muaj më parë kam denoncuar për disa kërcënime që kam marrë për shkak të vrasjes së vjehrrit nga qyteti i Krujës, por nuk ka pasur asnjë reagim nga Policia”, – u shpreh ai. Gjithashtu, 24-vjeçari deklaroi se “në biznesin tim nuk kam pasur asnjëherë problem apo presion. Theksoj se, pas kërcënimeve që kam marrë, kam kërkuar gjithmonë mbrojtje, por asnjëherë nuk e kam marrë atë. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Policia duhet të zbardhë ngjarjen, pasi ndihem i kërcënuar me jetë”. Nga ana tjetër, hetuesit e çështjes thanë se “kërcënimet në telefon, apo shpërthimi me një sasi shumë të vogël tritoli, lënë vend për dyshime se 24-vjeçari kërkon të marrë azil në ndonjë vend të BE-së. Familjarët e tij janë të gjithë jashtë vendit, ndaj dyshojmë që kjo ngjarje ka ndodhur vetëm për këtë shkak”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb