Një shpërthim eksplozivi ndodhi mbrëmjen e së enjtes në parkimin e Qendrës “Kristal”, në një zonë të populluar të kryeqytetit. Objekt i sulmit ishte automjeti privat i prokurorit Arjan Muça, i cili ka punuar si oficer i Policisë gjyqësore pranë Krimeve të Rënda, më pas ka punuar si prokuror në GJirokastër e së fundmi i komanduar si Inspektor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me detyrën e shqyrtimit të dosjeve të prokurorëve, përpara se ata t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit.

Por ndërkohë edhe bashkëshortja e tij, Gentjana Muça është gjithashtu pjesë e sistemit të Drejtësisë, si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Tiranës. Një fakt i cili ka bërë që hetimet të shtrihen mbi dyshimet e një kërcënimi ndaj secilit prej bashkëshortëve.

Nga shpërthimi nuk ka patur dëme të tjera përveç automjetit. “Kemi një dëmtim me lëndë plasëse eksploziv të një mjeti Mercedes A class të vitit 2002, i cili i përket një prokurori që është i komanduar pranë KLP. Mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme, dhe përdoret nga ky prokuror. Nuk ka dëmtime të automjeteve të tjera. Prej një periudhe 2-vjeçare çdo natë automjeti parkohet pranë kësaj qendre”, shpjegoi pak pas ngjarjes për gazetarët, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.

Nisur nga shpërthimi, vlerësohet se sasia e eksplozivit ka qenë e vogël, e për pasojë dyshohet se ka qenë një formë paralajmërimi për prokurorin apo bashkëshorten e tij, e cila gjithashtu e përdorte automjetin./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb