Shifrat financiare të ofruara tek Nuredin Dumani nga grupet kriminale në Elbasan, raportohen mjaft të majme dhe tepër të çmendura, duke kaluar çdo parashikim të mundshëm për terrenin Shqiptar.

Për një vrasje paguhej nga 50 mijë euro, 100 mijë euro, duke u rritur në 300 mijë euro, e deri në 2 milion euro. Rritja e çmimit në këtë “biznes” ka ardhur si pasojë e mllefit dhe hasmërisë së madhe, të lindur mes kundërshtarëve kriminalë.

Në dosjen hetimore, bie në sy se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.

Dhe për të fituar këtë luftë, nuk kursenin asgjë nga financat e vetë që arrinin të fitonin nga trafikimi i kokainës.

Sipas dëshmisë së dhënë para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Nuredin Dumani tregon se vetëm për “kokën”, e Arjan Spahiut, kunatit të Erjon Alibej, i është afruar një shumë prej 300 mijë euro.

Vetë Dumani, ka pranuar në SPAK se ka mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibej dhe Hajdar Bakos.

“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…” – shprehet Dumani.

Por ky i fundit tregon se çdo informacion apo plan që merrte për vrasjen e anëtarëve të grupit të Alibejt, ai ja përcillte Arjan Spahisë. Dhe një gjë të tillë e ka bërë edhe kur Kel Kamami ose siç thirret ndryshe “Keli i Kiçit” që tashmë qëndron në Dubai, i ka kërkuar vrasjen e Erjon Alibejt.

“…Kel Kamami, ka dashur të organizojë një atentat që ta bënte me hedhjen në erë të gjithë pallatin, ku jetonte, Erjoni. Për këtë atentat të kësaj natyre, flitej për një shumë që shkonte në 2 milion euro. Keli ma ka çuar dhe SMS, pseudonimin e Erjon Alibej, që sipas tij ishte “Krymi”. Këtë fakt unë ja thashë Arjanit…” – deklaron Nuredin Dumani.

Për shkak se Dumani ka shfaqur besueshmëri dhe besnikëri në ndarjen e informacionit, Alibej dhe Spahiu, e kanë vënë atë në provë duke i kërkuar të vinte në zbatim planin për spastrimin e një liste emrash që kishin marrë pjesë në vrasjen e Enea Alibej, Arben Dylgjerit, Erdal Durunay dhe Andi Zylyfit.

I pari që është vrarë në këtë listë ka qenë Dorjan Shkoza, kundrejt një pagese prej 50 mijë euro, shumë kjo që është sjellë tek Dumani nga Erjon Alibej, përmes kushëririt të Eljo Bitrit i quajtur Fati Koçi, i cili aktualisht është në burg në Belgjikë.

“…në vrasjen e Dorjan Shkozës, ka mbetur i vdekur dhe Anxhelo Avdija. Dua të shtoj që Klevis Alla,më është shprehur pas ngjarjes që kishte pasur interes për vrasjen e Anxhelo Avdijsë, pasi ky i fundit i kishte bërë video intime motrës së Klevisit…” – thotë Dumani.

Pas vrasjes së Dorjan Shkozës, ai i ka shkuar Arjan Spahisë një simbol në telefon, që nënkuptonte vrasje./Oratv

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb