Në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24 me autoren Evis Ahmetin është trajtuar historia e një gruaje nëne e 4 fëmijëve, e cila është dhunuar brutalisht nga bashkëshorti deri aty sa që edhe fëmijët i janë kundërvënë duke e ofenduar me fjalët nga më të rëndat.

Në një rrëfim drejtpërsëdrejti në studio 38-vjeçarja ka treguar disa detaje në lidhje me ngjarjen.

Ajo ka treguar se me ish-bashkëshortin është njohur në lagje pasi ishin fqinjë me njëri-tjetrin. Pas 4 vitesh dashuri, ai filloi të ushtronte dhunë ndaj saj dhe se shpesh herë ishte dhe i alkoolizuar.

Më pas ajo tha se ai aludonte kundrejt saj me gjëra të pavërteta duke shprehur edhe një xhelozi ekstreme kundrejt saj, ndërsa sipas 38-vjeçares ai ishte i dhunshëm edhe me fëmijët.

Gjatë rrëfimit gruaja tregoi se pas lindjes së djalit të tyre, ai e ka kërcënuar se do e vriste me thikë dhe se dyshonte se fëmija nuk ishte i tij.

“Ish-bashkëshorti aludonte kundrejt meje me gjëra të pavërteta, me çdo person që ishte përreth meje.  Ai shkonte për të punuar edhe në Greqi, por shpeshherë nuk i përgjigjej telefonatave të mia. Ai gjithashtu ka akuzuar se djali nuk ishte fëmija e tij. Pasi lindja djalin, kur jam kthyer në shtëpi ai më kërcënoi me një thikë se do të më vriste dhe se do të më priste dorën dhe s’më linte të vishesha. Ai ishte i dhunshëm jo vetëm me mua, por edhe me fëmijët.  Unë kam bërë edhe denoncimin, por më vonë e kam tërhequr. Pastaj jam zhvendosur tek banesat sociale në Elbasan. Nga gjykata kam marrë dy herë urdhër mbrojtjeje, por kujdestaria e fëmijëve i është dhënë atij”, tha ajo

Gruaja gjithashtu shtoi se kishte vënë re se ish-bashkëshorti kishte një marrëdhënie paralele me një grua tjetër dhe se ajo kishte parë dhe disa video kur ai festonte së bashku me të duke kërcyer në festën e fundvitit.  Ajo tha se nuk kishte edhe një marrëdhënie të mirë edhe me familjarët e tij.

Sipas saj fëmijët e saj e kanë përbuzur dhe nuk kanë asnjë komunikim me të dhe se vajza e madhe e ka pështyrë në fytyrë pasi babai e kishte kundërvënë kundër saj.

“Një ditë unë vura re nga celulari i tij se ai kishte një marrëdhënie me një grua tjetër. Natën e Vitit të Ri pasi festoi me ne ai doli të festonte me të, dhe më vonë kam parë dhe videot që ishin bashkë duke kërcyer.  Kunata dhe vjehrra ime nuk më donin, unë rrija gjithmonë vetëm. Mendoj se familja e ish-bashkëshortit ka ndikuar në xhelozinë e tij.
Natën që jam larguar nga shtëpia ai më ka dhunuar , dhe ofenduar .Gjithmonë e bënte këtë gjë edhe në prani të komshinjve.
Ai kur ishte i alkoolizuar , dhunonte edhe fëmijët. Ato ishin të frikësuar. Kur jam larguar nga shtëpia, fëmijët e mi nuk erdhën. Një ditë kur ai vinte t’i takonte fëmijët i mori dhe nuk i ktheu më.
Fëmijët nuk duan të flasin me mua , më përbuzin dhe kanë një fjalor të paprecedentë.  Vajza e madhe gjithashtu më ka pështyrë në fytyrë.” përfundoi 38-vjeçarja.

Në një lidhje telefonike ka reaguar edhe ish-bashkëshorti i saj i cili ka mohuar të ketë ushtruar dhunë kundrejt saj dhe se përkundrazi është ajo e cila i ka dhunuar dhe braktisur fëmijët. Sipas tij shenjat e shkaktuara nga dhuna nuk janë prej tij, por nga motrat e saj.

“Nuk është e vërtetë që unë e kam dhunuar. Ajo i ka dhunuar dhe braktisur fëmijët tonë. Edhe shenjat në trupin e saj janë sepse motrat ushtrojnë dhunë mbi të”. tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb