Drama e familjes Bego nuk ka fund. Pas vdekjes së gjyshit e dhimbjes që la pas, fëmijët prisnin me padurim ardhjen në jetë të vëllait të tyre që do ti risillte sërish buzëqeshjen. Ata kishin bërë gjithçka gati duke nisur që nga rrobat e deri te djepi, por gjërat nuk shkuan ashtu siç i kishin imagjinuar.

 

Në 4 shkurt të këtij viti, nëna e tre fëmijëve shkoi në maternitet për të lindur, por një lajm i hidhur do ti shkatërronte plotësisht.

 

“Në datë 4 shkurt ndodhi kjo gjë! Unë isha shtatzanë dhe e prisja fëmijën me gjithë zemër. Mora në telefon ambulancën, erdhi më mori në shtëpi që të lindja. Në orën 2 të drekës arrita aty. Kisha shumë dhimbje e mjekët thanë që do futesha në operacion. Nuk kisha frikë për veten, kisha frikë vetëm për fëmijën.”,-tregon Zyra Bego së cilës gjithë kjo i duket veç një ëndërr e keqe.

 

Vajza e madhe e familjes, Elsa rrëfen momentin e trishtë kur mori vesh lajmin për vdekjen e vëllait të vogël. Më tej ajo tregon se tashmë e ëma nuk mund të lëvizë pas operacionit të vështirë që kaloi.

 

“Mami është e sëmurë pasi kaloi një operacion të vështirë dhe kur prishet koha e ka pothuajse të pamundur të lëvizë. Edhe kur do të lëvizë, unë dhe motra i rrimë pas, e ndihmojmë që të mos rrëzohet apo lëndohet. 9 muaj që pritëm për vëllain ka qënë  një gëzim shumë shumë i madh, dhe i kishim bërë rrobat dhe djepin gati. Mezi po prisja që të vinte mami në shtëpi, e të merrja vëllain në duar. I kishim gjetur edhe emrin, ia kishim vendosur Mikel. Unë në atë moment po nxirrja kafen dhe sapo e mora vesh lajmin më ra kafja nga dora dhe shkova në dhomën tjetër. Kam qarë pafund.”,-thotë Elsa.

 

 

Edhe Sonila mes lotësh tregon çastin e dhimbshëm  të marrjes së lajmit mbi vdekjen e vëllait që pritej të vinte në jetë.

 

“Erdhi kushëriri i babit e po flisnin së bashku me babin. Unë i pyeta nëse ishte mami mirë. Ose do të shpëtonte mami, ose vëllai. Në ato momente kushëriri tha: Vëllai vdiq! Në ato çaste isha duke bërë detyrat, dhe mu errën sytë, theva lapsin. Babi në ato çaste u bë shumë keq, u marros ndërsa mami ishte në spital dhe nuk e përjetoi fare mirë. Kishim çdo gjë gati dhe në momentin e fundit na u prenë shpresat”,-rrëfen 13 vjeçarja mes lotësh.

 

Dy fëmijët më të vegjël të familjes Bego, Sonila dhe Amarildo po e përjetojnë keq psikologjikisht gjithë situatën ku ndodhen. Mërzia e tyre me jetën arrin deri në atë pikë sa mendojnë se vëllai që humbi jetën, do të vuante më shumë nëse do të jetonte.

 

“Kur e dëgjova që e tha kushëriri i babit lajmin për vëllain, fillova të qaja direkt. E kisha pritur 9 muaj dhe iku pastaj. Doktorët mbanin me shpresa, por ai iku. Kisha menduar ta mbaja në krahë se kurrë nuk kam mbajtur bebe në krahë. Na kishin sjellë rroba, por vëllai këtu do vuante.”,-thotë Amarildo.

 

“Më mirë të kishte ikur të mos e jetonte këtë botë tërë tmerre, sëmundje, ankthe. Edhe po të sëmurej nuk do kishim lekë ta shëronim”,-rrëfen Sonila.

(BalkanWeb)


 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb