HONDURAS – Kapiteni i kombëtares së Hondurasit, 26-vjeçari Arnold Peralta, është qëlluar për vdekje me 18 plumba pistolete në parkingun e një qendre tregtare në qytetin e tij të lindjes, La Ceiba. Mediat bëjnë të ditur se Peralta ndodhej në qendrën tregtare, bashkë me bashkëshorten, për të blerë rroba për vajzen e tyre të sapolindur.

Momentet pas ekzekutimit kanë qenë shokuese, ndërkohë që kamerat kanë fiksuar çastet e dhimbshme, teksa gruaja qante mbi trupin e pajetë të 26-vjeçarit.

Momentalisht nuk dihen ende shkaqet e krimit dhe as autorët, ndërsa sipas autoriteteve vendase, vrasja është kryer nga një grup grabitësish. Megjithatë po vijojnë ende hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.

Trajneri i kombëtares së Hondurasit, Osman Madrid tha se “vdekja e Peraltas është një tragjedi për futbollin”.
26-vjeçari Arnold Peralta luante me ekipin e Deportivo Olimpias, në kampionatin e Hondurasit. Më herët ai është aktivizuar me Club Deportivo Vida dhe Glasgoe Rangers. Në vitin 2014 ai nuk mundi të merrte pjesë në fazën finale të Botërorit të futbollit, për shkak të një dëmtimi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb