Inter e bën dramë në “San Siro”, pëson një humbje të rëndë përballë Empolit, praktikisht “lan duart” më titullin në Serie A, 13 pikë diferencë me Napolin pas gjysmës së parë të sezonit janë shumë. Suksesi në derbi përballë Milan, në finalen e Superkupës, dukej një kujtim i largët, zikaltërit në fushë ishin një ekip i fjetur, pa ide, prodhuan shumë pak për të dalë qoftë dhe me një pikë. Jo pak përcaktues në këtë disfatë ishte dhe kartoni i kuq i marrë nga Milan Skriniar, i dyti i verdhë, në minutën e 40-të.

Nedim Bajrami zbriti në fushë si titullarë, mesfushori kuqezi zhvilloi një sfidë shumë të mirë, mbi të gjitha dhuroi asitin në golin e fitores, të finalizuar nga Baldanzi, i sapo hedhur në fushë. Nga minuta e 72-të, Inzaghi përdori edhe kartën Kristjan Asllani, me talentin shqiptar që sfidoi ish ekipin e tij, por pa mundur të shmang humbjen. Në 90 minuta, Inter goditi vetëm një herë kuadratin, De Vrij goditi traversën.

I dorëzuar pas kësaj humbje u shfaq trajneri Inzaghi: “13 pikë diference me Napolin janë shumë. E mbyllim fazën e parë me 37 pikë, tani duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje, janë shumë skuadra me pikë të përafërta. Napoli po bën një kampionat më vete, ne duhet të luftojmë me ekipet e tjera”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb